Transmetuar më 04-11-2020, 08:54

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dondald Trump ka dalë në një deklaratë për mediat, për të komentuar procesin e numërimit të votave.

Ndonëse numërimi i votave në SHBA vijon dhe rezultati i deritanishëm tregon një epërsi të lehtë të Joe Biden, Donald Trump shprehet i sigurt për fitoren e tij në këto zgjedhje.

"Një grup njerëzish të trishtuar po përpiqen të hedhin një hije, por ne nuk do ta pranojmë atë. Falënderoj amerikanët, ne kemi fituar kudo, rezultate fenomenale, jemi duke u përgatitur për të festuar, ne do të fitojmë gjithçka" tha Donald Trump duke folur nga dhoma lindore e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti komentoi rezultatet e tij duke i quajtur ato "fenomenale", por hodhi dhe akuza për vjedhje të votave.

"Po bëhet një grabitje e madhe në kombin tonë dhe ne duam që votat të përdoren në mënyrën e duhur. Ne do të shkojmë në Gjykatën e Lartë. Ne nuk duam vota të hedhura në orën 4 të mëngjesit. Ky është një moment i trishtueshëm, ne do ta fitojmë dhe mesa shoh i kemi fituar. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që kanë fituar me ne.  Ne do ta mbrojmë votën", u shpreh Trump. /NOA/