






Ekzekutimi i ndodhur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, pranë zonës së Pediatrisë ku mbeti i vrarë 42-vjeçari Dëfrim (Devi) Kasmi, ka të arrestuarin e parë.
Mësohet se pasditen e djeshme është arrestuar personi që thirri viktimën të dalë nga shtëpia, ku dy persona me motor dhe me skafandër në kokë, i bënë pritë në një rrugicë të ngushtë, duke e ekzekutuar.
Mësohet se është sekuestruar edhe një motor, i ngjashëm me atë që kanë fiksuar kamerat e sigurisë së ambienteve përreth.
Viktima njihej edhe si Dëfrim “qorri”, apo “fantazma”, pseudonime të cilat i kishte fituar në sajë të së kaluarës së tij kriminale.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti 9 gëzhoja, ndërkohë që janë sekuestruar edhe kamerat e bizneseve përreth, për të zbuluar më shumë mbi krimin.
Në shtëpinë e Devi Kasmit, u gjetën 3 kilogramë lëndë narkotike kokainë dhe një armë automatike me silenciator. Kujtojmë se viktimës iu gjetën, edhe një pistoletë në çantën që mbante me vete dhe një tjetër pranë trupit të pajetë.
I dyshuari për krimin Domart Konjari
Lidhur me vrasjen e Kasmit, policia dyshon se qëndron Domart Konjarin, person i cili është shpallur në kërkim.
Konjari është liruar dy vite më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shkelje procedurale pasi rezultonte i dënuar në Francë me 10 vite burg.
Dyshohet se gjithçka mund të ketë nisur për shkak të konflikteve për drogën në Spanjë, vend ku dhe jetonte Kasmi deri para disa kohësh.
Viktima Devi Kasmi, kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, ndërsa dyshohet se atje ka tentuar dy herë të vrasë Domart Konjarin pas përplasjes për pazaret dhe zonat e tregtimit të kokainës.
Sakaq bazuar nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se Domart Konjari paraqitet si personazhi qendror i rrjetit të trafikimit ndërkombëtar të kokainës, i përfshirë drejtpërdrejtë në shumë operacione importimi të sasive të mëdha kokaine, në lidhje të drejtpërdrejtë me trafikant të shumtë rajonal. /a.y/noa.al
Ky është “fantazma”, personi i ekzekutuar me armë zjarri në Tiranë
Atentati në Tiranë, policia surprizohet nga ajo që gjen në shtëpinë e viktimës
Atentati me armë zjarri në Tiranë, dyshimet bien mbi Domart Konjarin
Atentati në Tiranë, viktima djali i një aktori, sapo ishte kthyer nga Spanja
Atentati në Tiranë, policia gjeti dy pistoleta në trupin e viktimës
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





