Transmetuar më 07-04-2025, 08:55

Duke analizuar Juventusin e Tudor, ish-portieri i shquar italian, Gianluigi Buffon, vëren një skuadër më të bashkuar dhe me më shumë shpirt grupi se më parë. Sipas tij, Tudor ka sjellë energji dhe pozitivitet. Ai ka kitika për mungesën e një kapiteni të qartë. Buffon thekson rëndësinë e një lideri të vetëm në fushë, duke nënvizuar historinë e kapitenëve te Juventusi.

Për Yildiz, i vetmi që bën “gjëra të jashtëzakonshme” te Juve, Buffon nuk e di nëse do ishte gabim ta shisnin, varet nga situata financiare e klubit. Duke u ndalur te gara për titull, Buffon paralajmëron Interin: “Zikaltrit rrezikojnë nëse arrijnë ‘kokë më kokë’ me Conte në fund të sezonit, për shkak të fuqisë motivuese të këtij të fundit”.

Për Juventusin aktual: “Duke parë ndeshjen në ‘Olimpico’, më duket sikur djemtë bardhezinj që zbresin në fushë kanë më shumë për t’i thënë njëri-tjetrit, për të ndarë. Më duket sikur kanë një lidhje mes tyre dhe ecin të gjithë në të njëjtin drejtim. Më parë i shihja më në vështirësi, nuk shihja një mënyrë të përbashkët të të menduarit, më dukeshin më të shkëputur nga njëri-tjetri”.

Për çështjen e shumë kapitenëve te Juve: “Sigurisht që është diçka e pazakontë. Gjëja e parë që duhet bërë është të njohësh historinë e klubit. Te Juve, sapo hyn në dhomën e zhveshjes, sheh fotot e kapitenëve në 100 vite histori. Kjo duhet të të bëjë të mendosh se një kapiten duhet të zgjidhet. Sepse një kapiten është ai që, në momentet delikate ose kur duhet të transmetohet mesazhi i trajnerit, nuk duhet të neutralizohet, përkundrazi, duhet të mbështetet dhe të ndihet si pika nevralgjike e skuadrës”.

A ka sjellë Tudor "juventinitetin" që mungonte: “Është pak të thuash vetëm kaq. Mendoj se Igor tregoi edhe në Romë atë që transmeton, energji dhe pozitivitet në grup. Pikërisht për këto gjëra, grupi bardhezi kishte shumë nevojë”.

Për Thiago Motta: “Mua më dukej ideja më e mirë për trajner të Juventusit. Dhe ende e mendoj kështu. Kjo ndalesë do t’i bëjë mirë në rrugëtimin e tij si trajner, që të rritet më tej. Kam shumë besim tek e ardhmja e tij”.

A mund të qëndrojë Tudor te Juve: “Nëse arrin të sigurojë Champions-in dhe iu jep sinjale të mira drejtuesve, do të ishte zgjedhje logjike”.

Për Interin dhe amicien e tij për të fituar gjithçka: “Kur ke një skuadër të tillë, objektivi është të shkosh sa më larg në çdo front. Çështja është mendore, kur shkon në avantazh me dy gola, Interi nuk duhet ta lëshojë lojën. Nëse ndodh, nuk është çështje lojtarësh, por rënie përqendrimi”.

Lufta për titull: “Për mua nuk është diçka e re. Që nga dita e parë e kampionatit mendoj se ka qenë betejë Napoli-Inter. Por nëse arrin kokë më kokë me Conte në fund të kampionatit, rrezikon shumë. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për ta motivuar dhe bindur ekipin e tij”.

Për Yildiz dhe interesin nga Premier League: “Nuk e di, nuk di as si është Juve ekonomikisht. Ajo që di është se kur shohim një veprim të jashtëzakonshëm te Juventusi aktual, e bën vetëm ai”.

Për Milanin që kërkon drejtor sportiv: “Është një rol thelbësor. Një drejtor i mirë di të ndërmjetësojë, të këshillojë trajnerin dhe lojtarët. Për mua, Milani ka një skuadër pak më të dobët se Interi, por jo shumë. Dhe në fakt është skuadra e vetme që nuk ka humbur asnjë nga 3-4 përballjet direkte me zikaltrit”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit