

Në botën e sportit, veçanërisht në futboll, bestytnitë janë një dukuri e zakonshme. Shumë futbollistë kanë pranuar se gjatë karrierës së tyre kanë ndjekur rituale të veçanta për fat të mbarë. Trapattoni, gjatë Kupës së Botës 2002, u kap duke hedhur ujë të bekuar në fushë nga një shishe që e mbante me vete.
Maradona kishte zakon të hynte në fushë duke kërcyer mbi këmbën e tij magjike të majtë. Laurent Blanc, gjatë Botërorit të fituar nga Franca më 1998, puthte kokën e portierit Fabien Barthez para çdo ndeshjeje. Nuk mund të harrohet as varësia e Pippo Inzaghit nga biskotat “Plasmon”, të cilat i konsumonte para çdo ndeshjeje. Dhe lista vazhdon…
Në këtë listë mund të shtohet edhe rituali i veçantë që ka zbuluar portieri brazilian i Manchester City, Ederson, në programin "Match of the Day" të BBC-së. “Gardiani” i portës ka pranuar se i ka luajtur të gjitha, 361 ndeshjet me Manchester City, duke veshur të njëjtat të brendshme (mbathje).
"Kam vetëm një bestytni, e luaj çdo ndeshje me të njëjtat mbathje. Po, po, të njëjtat për 8 vite", – ka pranuar ai me një buzëqeshje përballë prezantuesit Shay Given, ish-portierit të Manchester City dhe kombëtares irlandeze. Ky i fundit, me humor, i është përgjigjur: "Nuk duhet të jenë në gjendje të mirë tashmë…"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd