Transmetuar më 27-03-2025, 07:30

Leonardo Nascimento De Araújo, i njohur thjesht si Leonardo, ka dhënë një intervistë të gjatë për “QS”, ku ka folur kryesisht për karrierën e tij dhe talentet e rinj. Megjithatë, ai nuk e ka shmangur temën e Milanit, duke komentuar momentin e vështirë që po kalon ekipi kuqezi, ku ai ka qenë sulmues, trajner dhe drejtues.

Duke folur për mungesën e identitetit te kuqezinjtë, ai tha: "A ka nevojë Milani për më shumë ‘milanizëm’? Po, por ai ishte aty, quhej Paolo Maldini. Si drejtues fitoi një kampionat dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Pastaj u largua, bashkë me të iku edhe një pjesë e madhe e pasionit. Sot të gjithë e kanë kuptuar, Milani është bosh, pa shpirt. Sidoqoftë janë cikle, do të kalojë. Besoj se edhe klubi tashmë e ka kuptuar gabimin që bëri".

Leonardo kujtoi gjithashtu periudhën kur ishte trajner i Milanit, një eksperiencë e shkurtër, por e veçantë: "Kam kaluar situata të ngjashme, edhe pse si trajner nuk kam pasur shumë eksperiencë. E nisa aventurën time në një moment delikat; Kaká u shit, Maldini u tërhoq nga futbolli… Ishte një epokë ndryshimesh.

E fillova sezonin pa fituar për 5-6 ndeshje. Të gjithë më sugjeronin të mos e ndaja me lojtarët strategjinë e lojës, por unë shkoja në palestër dhe iu thosha: Do të luajmë në mënyrë të rrezikshme, do të marrim përsipër rreziqe. Mbrojtësit nuk ishin dakord (qesh), por me kalimin e kohës e pranuan idenë. Ishte një rrezik, por shumë e pëlqyen skemën tonë ‘4-2-fantazi’. E gjitha nisi në ndeshjen e tretë të Ligës së Kampionëve në Madrid, kur fituam 3-2 ndaj Realit në ‘Bernabeu’. Diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë…"

Duke folur për futbollistët që e frymëzuan, ai u ndal te legjenda braziliane Zico: "Pata fatin të luaja te Flamengo, që fitoi gjithçka, dhe debutova në atë ekip. Zico ishte simboli, kampioni që më frymëzoi. Zico kishte përulësi dhe të gjithë e admironin".

Sa i përket ‘San Siros’, ai theksoi presionin e madh që ndiejnë lojtarët: "Të luash në ‘San Siro’ të krijon ankth, është një ngarkesë emocionale e vështirë për t’u përballuar. Si trajner ose drejtues, detyra ime është të kuptoj se si ta ndihmoj lojtarin ta kalojë këtë presion. Megjithatë, presioni nuk është vetëm në ‘San Siro’, por kudo. Ka madje lojtarë që preferojnë ta nisin nga stoli për të qenë më të qetë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit