Transmetuar më 26-03-2025, 11:07

Një koincidencë e çuditshme në rrjetet sociale ka si protagonist Teun Koopmeiners. Pasi mbylli angazhimet me kombëtaren e Holandës, mesfushori postoi në llogaritë e tij: "Shumë gjëra pozitive për të marrë me vete nga kjo javë".

Referenca kryesore duket se lidhet me paraqitjet e mira te portokallinjtë, të cilët u eliminuan nga Spanja, pas penalltive, në çerekfinalet e “Nations League”. Megjithatë, postimi vjen edhe në të njëjtën javë kur Juventusi, klubi i tij aktual, shkarkoi trajnerin Thiago Motta dhe e zëvendësoi me Igor Tudor.

Shumë tifozë të "Zonjës së Vjetër" e kanë interpretuar postimin si një mesazh për ndryshimet në stolin e ekipit bardhezi, siç reflektohet edhe në komentet e shumta. Ndërkohë, në Torino, Juventusi i Tudor po fillon të marrë formë, vazhdon punën në fushë për t’u përgatitur për debutimin e trajnerit kroat, që do ta drejtojë ekipin ndaj Genoa.

Dje, shumica e lojtarëve bardhezinj kanë përfituar një ditë pushim, e dhënë nga trajneri i ri, por disa prej tyre kanë preferuar të qëndrojnë në “Continassa” për të vazhduar përgatitjet. Tre lojtarët që u shfaqën në qendrën stërvitore ishin: qendërmbrojtësi Federico Gatti, anësori argjentinas Nico Gonzalez dhe, mbi të gjitha, sulmuesi Dusan Vlahovic.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit