

Pas ndeshjes Milan-Como, presidenti i kuqezinjve, Paolo Scaroni, foli për situatën aktuale të klubit të tij: "Ka qenë një sezon i vështirë, nuk ka dyshim për këtë. Një sezon që i ka zhgënjyer tifozët tanë, gjithashtu edhe ne drejtuesit. Po diskutojmë mbi të ardhmen, si mund të bëjmë më mirë. Nuk e di nëse duhet ta quaj evolucion, por më duket si një proces natyral që e kalojnë të gjitha klubet".
Megjithatë, Scaroni nuk e sheh ende sezonin si të përfunduar: "Më pëlqen të kujtoj se kemi sjellë një trofe (Superkupën e Italisë) në shtëpi, kështu që nuk ka qenë një sezon krejtësisht negativ. Nuk e konsiderojmë të mbyllur sezonin.
Champions League është shumë larg, por vazhdojmë të luftojmë dhe, nëse arrijmë të kualifikohemi në një tjetër kompeticion europian, do ta luajmë me përkushtimin që kemi treguar gjithmonë në arenën ndërkombëtare".
Sa i përket planit për një stadium të ri, Scaroni foli rreth projektit të përbashkët me Interin: "Jam marrë me këtë çështje që nga viti 2019 dhe, në fund të gjithë kësaj rruge, jemi kthyer te propozimi fillestar: ndërtimi i një stadiumi të ri, më i miri në Europë, këtu ku është ‘San Siro’.
Më vjen keq që kemi qenë të detyruar të kërkojmë alternativa për shkak të pengesave tipike të vendit tonë. Kemi paraqitur një ofertë për ta blerë stadiumin dhe zonat përreth, në mënyrë që të mund të nisim projektin tonë.
Topi është në fushën e bashkisë së Milanos, e cila duhet të përgjigjet për këtë propozim. Jam optimist, shoh te kryetari i bashkisë, Sala, një dëshirë të madhe për t’i lënë Milanos një infrastrukturë të mrekullueshme, për të cilën qyteti ka nevojë".
Në fund, ai theksoi rëndësinë e krijimit të një stadiumi modern dhe të qasshëm për të gjithë: "Stadiumi i ri do të jetë i hapur për të gjithë; për familjet dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilët kanë vështirësi të mëdha për t’i ndjekur ndeshjet nga afër".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd