Transmetuar më 06-01-2025, 08:34

Erdhi shpejt derbi i Madoninës për Sergio Conceição, trajnerin e ri të Milanit, i cili prej pak ditësh ka marrë drejtimin e skuadrës kuqezi dhe është gati të përballet me Interin në finalen e Superkupës Italiane. Trajneri portugez e ka prezantuar ndeshjen në fjalë në konferencën për shtyp nga Rijadi.

Si jeni ju dhe si është skuadra?

Shpresoj që skuadra të jetë më mirë se unë. Kishim një ditë më pak pushim se kundërshtari për ta përgatitur ndeshjen. Interi është një skuadër e fortë, e mësuar të fitojë. Ka të njëjtin trajner, si dhe lojtarë që luajnë së bashku prej shumë kohësh. Kjo është diçka pozitive për ta, ndërsa ne duhet të mendojmë për veten. Gjithçka është e vështirë, por në vështirësi duhet të tregohemi të gjithë burra. Nuk duhet të harrojmë që të gjithë tifozët po na shikojnë. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu që kemi 4-5 lojtarë që nuk janë në formën më të mirë.

Derbi i parë në Itali kundër një prej skuadrave tuaja si lojtar. A e përjetoni ndryshe këtë?

Jo, unë kam respekt për të gjitha skuadrat ku kam luajtur. Djali im luan te Juventusi dhe ndjenjat janë të njëjta, pavarësisht kundërshtarit. Ndjenjat i kam për lojtarët e mi. Kam shumë dëshirë t’i përgatis gjërat mirë, që të mund ta mposhtin një skuadër të fortë si Interi. Kjo është gjëja më e rëndësishme që kemi në mendje. Baza duhet të jetë ambicia jonë. Janë dy ndeshje për të fituar një titull; kemi bërë një hap dhe tani duhet të bëjmë tjetrin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, kemi besim.

Inzaghi përmendi Erikssonin, shumë trajnerë dolën nga ajo Lazio. Sa ka ndikuar kjo eksperiencë?

Sigurisht, shumë. Kam pasur trajnerë të shkëlqyer. Eriksson kishte një marrëdhënie fantastike me lojtarët; nuk e kam parë kurrë të zemëruar, por kur zemërohej, skuqej. E kam Svenin në zemër, si dhe të gjithë lojtarët e asaj skuadre. Kam pasur Sacchin dhe Malesani. E dua Italinë dhe e konsideroj shtëpinë time të dytë, sepse kam mbërritur i ri aty dhe kam përjetuar kohë të mrekullueshme. Është kënaqësi dhe nder të jem tashmë në Itali, duke trajnuar një skuadër historike si Milani.

Si është gjendja e Leaos?

Do ta vlerësojmë. Sigurisht që nuk është gati për 90 minuta, por do të shohim nëse mund të luajë me kohë të pjesëshme.

A keni folur me nutricionistin?

Po, është një person i rëndësishëm për skuadrën tonë. Si trajner iu jap rëndësi të gjitha detajeve. Lojtarët kanë nevojë të jenë 100%.

A ndiheni me fat që e filloni këtë eksperiencë kuqezi fillimisht ndaj Juves dhe tani duke sfiduar Interin?

Me fat? Fati nuk vjen nëse nuk punon, por është normal që duhet. Fati vjen nëse ke talent, nëse je serioz dhe ke shumë dëshirë. Edhe në lotari, nëse qëndron në shtëpi dhe vetëm lutesh, nuk e fiton. Duhet të përpiqemi.

Si është marrëdhënia juaj me Inzaghin? A do t’ia jepni dorën pas ndeshjes?

Sigurisht. Ka episode që ndodhin gjatë ndeshjes, por gjithmonë duhet respekti i ndërsjellë. Jemi njerëz të futbollit, kemi luajtur bashkë dhe duhemi shumë. Ai do të jetë miku im si para, ashtu edhe pas ndeshjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit