Francezi u la jashtë formacionit titullar në barazimin 0-0 kundër Genoa, me adoleshentin Alex Jimenez që u preferua në vend të tij. Kjo ndodhi në një moment të vështirë për Theo Hernandez, i cili po has vështirësi me formën e tij në fushë, nën drejtimin e Paulo Fonseca, deri tani.
Duke marrë parasysh se kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2026, është folur gjithashtu për një pikë natyrale kthese lidhur me të ardhmen e francezit te Milani. Mediat raportojnë mbërritjen e agjentit të tij në Itali për një takim me drejtuesit kuqezinj lidhur me situatën e ish-lojtarit të Real Madridit.
Quilon mbërriti në “Casa Milan” për takimin e përmendur dhe foli me disa gazetarë që ndodheshin jashtë selisë së kuqezinjve, në pritje të tij. Komentet e tij u përcollën nga “MilanNews”.
Si shkoi takimi?
Ishte një takim mbi çështjet fiskale, mbi situatën fiskale mes Spanjës dhe Italisë.
A është diskutuar për rinovimin e Theo Hernandez?
Jo, por është një temë që ekziston. Do të flasim për të kur të vijë koha. Sot për sot mund të konfirmoj dëshirën e tij për të qëndruar te Milani.
5 milionë euro në sezon, plus bonuse. Ka frymë optimizmi – “Corriere dello Sport” bën një përmbledhje të situatës për rinovimin e Theo Hernandez. Pas përjashtimit nga formacioni titullar kundër Genoa, menaxheri i francezit vizitoi rezidencën e Milanit për të diskutuar situatën me klubin kuqezi.
Negociatat për zgjatjen e kontratës së Theos nuk kanë hyrë ende në fazën vendimtare, pavarësisht se dëshira është e njohur. Kontrata e ofruar përfaqësuesit të francezit parashikon një pagë neto prej 5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse.
Kjo do të thotë që Hernandez, nëse e pranon ofertën, do të fitonte rreth 6 milionë euro në vit. Milani mendon se kështu mund ta bindë mbrojtësin ta zgjasë marrëveshjen, e cila skadon në qershor të vitit 2026.
Forma jo pozitive e Theos këtë sezon dhe mungesa e kërkesave të larta nga klube të tjera e bëjnë “Djallin” optimist për të arritur një marrëveshje me shifra që konsiderohen të përshtatshme për vlerën e lojtarit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd