Transmetuar më 29-01-2020, 19:19

Dalin emrat e porositësve të pengmarrjes së Jani Prengës në zonën e Kamzës paraditen e 17 dhjetorit, i cili sipas policisë ka gjetur vdekjen, pas dhunës dhe torturave të ushtruara nga pengmarrësit.

Dyshohet se pengmarrja e tij ka ndodhur pasi i vëllai Astrit Prenga i cili jeton në Angli, nuk ka dorëzuar një ngarkesë kokaine.

Nga hetimet e policisë janë zbuluar edhe urdhëruesit kryesorë të pengmarrjes së 49-vjeçarit.

Bëhet fjalë për Altin Hajrin nga Shijaku, Dritan Rexhepin nga Vlora dhe M.Bajrin nga Shkodra.

Këta emra janë zbuluar bazuar në përgjimet telefonike të familjarëve të Jan Prengës me vëllanë e tij Astritin, i cili duket se është bërë sebep për vrasjen e të vëllait.

Rexhepi, rezulton se monitoron trafikun e kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe si bashkëpunëtorë të tij janë Hajri dhe Bajri.

Dyshohet se babai i pesë fëmijëve, u mor peng për ti bërë shantazh vëllait të tij Astrit Prenga, që të dorëzonte sasinë prej 283 kilogramë kokainë që mbante peng në një port në Angli dhe nuk e kishte dorëzuar në destinacion.

Mirëpo ndërsa gjithçka ishte menduar si formë shantazhi për Astritin, situata iu ka dalë nga kontrolli pengmarrësve, ku Jan Prenga ka gjetur vdekjen nga dhuna dhe tortura e ushtruar ndaj tij.

Jan Prenga hyri i gjallë në resort, si u zhduk

Jan Prenga, personi i marrë peng më 17 janar në Tiranë, ka hyrë i gjallë në resortin “Golden” në Xhafzotaj të Shijakut. Është kjo ajo që kanë fiksuar kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia, ku rezulton se ai ka hyrë me këmbët e tij.

Ndërsa më tej si pasojë e torturave dhe dhunës së ushtruar, dyshohet se ka gjetur vdekjen.

Kështu rrëmbyesit e tij, e kanë nxjerrë më tej të mbështjellë me qese të zeza, pasi e kishin zhveshur, teksa rrobat mendohet se ia kanë djegur dhe nën akuzën e fshehjes së provave, është i dyshuari i arrestuar gjatë së martës Festim Bexhdili.

Kjo pasi 30-vjeçari është filmuar me një lopatë në dorë, çka ka shtuar dyshimet se ai mund të ketë gisht në groposjen e trupit.

Krahas pesë të arrestuarve, janë edhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim, mes tyre i dyshuari kryesor Altin Hajri, pronari i resortit.

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan (Jak) Prengës si pasojë e dhunës, dyshohet se ka ndodhur pas konflikteve që vëllai i tij ka pasur në Angli.

Dyshohet se vëllai i Prengës në Angli, Astrit Prenga, është porositur nga një grup kriminal që të transportojë një sasi të konsiderueshme kokaine me kamionin e tij, lëndë narkotike që vinte nga Amerika Latine. Mirëpo kokaina nuk është dorëzuar në destinacion, çka ka bërë që vëllai i Astritit të merret peng.

Por nga përgjimet telefonike me familjarët, Astrit Prenga, dëgjohet t’iu kërkojë që të mos flasin me policinë, duke u druajtur për fatin e të vëllait.

Pikërisht gjatë pengmarrjes 49-vjeçarin e kanë rrahur dhe duke e transportuar për në vendin ku do e mbanin peng, në resortin në Xhafzotaj të Shijakut, ka gjetur vdekjen. Pasi situata iu ka dalë nga kontrolli, ata dyshohet se e kanë groposur.

Pista kryesore e policisë është përqendruar në faktin se Prenga mund të jetë groposur në rrethinat e Shijakut. Për 49-vjeçarin u tha se nuk ka precedentë penalë, madje familjarët pretendojnë se ai nuk ka konflikte me njeri. Në pritje për tu gjetur trupi, familja e tij ka hapur dyert e mortit.

Në informacionin zyrtar të policisë, u konfirmua se rrëmbimi dhe më pas vdekja e Prengës ndodhi për shkak të të vëllait dhe konflikteve të tij për pazare droge.

Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa persona.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Leonard Hajrit, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë; Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak; Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.

Ndërkohë ditën e sotme, policia konfirmoi arrestimin e 30-vjeçarit Festim Bexhdili, pas deklaratës së bërë të martën për katër të arrestuarit e tjerë.

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak dhe Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, katër automjete dhe një shumë eurosh.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të Jak Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të Altin Hajrit.

Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamëz dhe humbjes së gjakut, ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do të mbahej peng.

Gjithashtu, rezulton se personat e dyshuar janë kujdesur për ta fshehur trupin e Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, dyshohet për drogë.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”./a.y/noa.al

“Kokat” e trafikut nga Ekuadori në BE e Shqipëri, kush janë 4 personat që udhëruan marrjen peng të Prengës

Pengmarrja dhe vdekja e Jan Prengës, shkon në pesë numri i të arrestuarve, kush është i riu i kapur në Kavajë

Pengmarrja/ 49-vjeçari Prenga kishte ndërruar emrin në Greqi, i vëllai korrier i bandës së Shijakut

Personi i marrë peng në në Kamëz ka vdekur, s’ka gjurmë nga trupi! Policia: 4 të arrestuar

Gjendet një “Range Rover” i djegur në Durrës, po heton nëse ka lidhje me pengmarrjen në Kamzë