Transmetuar më 29-01-2020, 13:16

Zbulohen emrat e katër personave, që dyshohet se urdhëruan marrjen peng dhe vrasjen e 49-vjeçarit Jan Prenga, më 17 janar në Kamëz. Sipas të dhënave, ata qe kanë dhënë urdhrin për marrjen peng të Prengës, dyshohet se kanë aktivitet kriminal në Ekuador dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Më poshtë, katër emrat e urdhëruesve të krimit makabër: M. B., personazh me dritë-hije të forta në botën e krimit, nga Shkodra, i akuzuar për trafik droge nga Ekuadori në vendet e BE.

G. D.,  është i skeduar nga autoritetet e vendeve të BE dhe konsiderohet si njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimi i Jan Prengës, përderisa vëllai i këtij të fundit arriti të nxirret nga porti britanik një sasi të madhe kokaine, por nuk e dorëzoi në destinacion.

K. G., nga Shkodra, i përfshirë më herët në aktivitet kriminal në vendet e BE, por edhe në Shqipëri i skeduar. Ky mendohet të jetë personi që ka bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për marrjen peng të Prengës.

D.R., nga Vlora, personazhi më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë. Më 2014, është arrestuar me 240 kg kokainë në Ekuador, më herët ishte akuzuar për përfshirje në vepra kriminale në Shqipëri.

Ndërkohë një tjetër detaj që është zbuluar ka të bëjë me bisedat e përgjuara nga autoritetet britanike, ku ndodhet Astriti, dhe autoritetet shqiptare, dëgjohet Astrit Prenga duke iu kërkuar familjarëve të tij në Kamëz të mos flasin me policinë për rrëmbimin e 49-vjeçarit.

Bisedat janë përgjuar nga kamera ambientale të vendosura në banesat e tyre, ku Astriti dëgjohet duke iu thënë familjarëve se “Qëndroni larg vëmendjes së policisë, mos jepni detaje për zhdukjen e Janit. Doda është mirë dhe po mbahet peng në zonën e Shijakut”.

Ndërkohë, më tej, Astriti dëgjohet duke thënë se e kishte kthyer pjesën e kokainës, që kishte marrë, dhe se po përpiqej që ta kthenin edhe miqtë e tij.

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan (Jak) Prengës si pasojë e dhunës, dyshohet se ka ndodhur pas konflikteve që vëllai i tij ka pasur në Angli.

Dyshohet se vëllai i Prengës në Angli, Astrit Prenga, është porositur nga një grup kriminal që të transportojë një sasi të konsiderueshme kokaine me kamionin e tij, lëndë narkotike që vinte nga Amerika Latina. Mirëpo kokaina nuk është dorëzuar në destinacion, çka ka bërë që vëllai i Astritit të merret peng.

Pikërisht gjatë pengmarrjes 49-vjeçarin e kanë rrahur dhe duke e transportuar për në vendin ku do e mbanin peng, në resortin në Xhafzotaj të Shijakut, ka gjetur vdekjen. Pasi situata iu ka dalë nga kontrolli, ata dyshohet se e kanë groposur.

Pista kryesore e policisë është përqendruar në faktin se Prenga mund të jetë groposur në rrethinat e Shijakut. Për 49-vjeçarin u tha se nuk ka precedentë penalë, madje familjarët pretendojnë se ai nuk ka konflikte me njeri. Në pritje për tu gjetur trupi, familja e tij ka hapur dyert e mortit.

Në informacionin zyrtar të policisë, u konfirmua se rrëmbimi dhe më pas vdekja e Prengës ndodhi për shkak të të vëllait dhe konflikteve të tij për pazare droge.

Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa persona.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Leonard Hajrit, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë; Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak; Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.

Ndërkohë ditën e sotme, policia konfirmoi arrestimin e 30-vjeçarit Festim Bexhdili, pas deklaratës së bërë të martën për katër të arrestuarit e tjerë.

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak dhe Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, katër automjete dhe një shumë eurosh.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të Jak Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të Altin Hajrit.

Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamëz dhe humbjes së gjakut, ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do të mbahej peng.

Gjithashtu, rezulton se personat e dyshuar janë kujdesur për ta fshehur trupin e Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, dyshohet për drogë.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. /b.l/noa.al

“Kokat” e trafikut nga Ekuadori në BE e Shqipëri, kush janë 4 personat që udhëruan marrjen peng të Prengës

Pengmarrja dhe vdekja e Jan Prengës, shkon në pesë numri i të arrestuarve, kush është i riu i kapur në Kavajë

Pengmarrja/ 49-vjeçari Prenga kishte ndërruar emrin në Greqi, i vëllai korrier i bandës së Shijakut

Personi i marrë peng në në Kamëz ka vdekur, s’ka gjurmë nga trupi! Policia: 4 të arrestuar

Gjendet një “Range Rover” i djegur në Durrës, po heton nëse ka lidhje me pengmarrjen në Kamzë