Transmetuar më 28-01-2020, 11:32

Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me operacionin për kapjen e autorëve të pengmarrjes së 49-vjeçarit, në zonën e Kamzës, duke konfirmuar vdekjen e të rrëmbyerit.

Operacioni i zhvilluar përgjatë ditës së hënë u kodua “Resorti” dhe gjatë tij janë arrestuar katër persona, duke u sekuestruar armë, makina dhe para.

Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17 janar, në rrugën “London”, Kamëz, ku disa persona rrëmbyen 49-vjecarin Jan Prenga, pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me prokurorinë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje.

Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa persona.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Leonard Hajrit, 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë; Olsi Turja, 36 vjeç, banues në Shijak; Elton Hajri, 32 vjeç, banues në Shijak dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak dhe Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, katër automjete dhe një shumë eurosh.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të Jan Prengës, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të Altin Hajrit.

Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamëz dhe humbjes së gjakut, ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do të mbahej peng.

Gjithashtu, rezulton se personat e dyshuar janë kujdesur për ta fshehur trupin e Prengës, ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe, dyshohet për drogë.

Në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen.

Për shkak të hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera dhe kërkohet që të mos publikohen informacione të pakonfirmuara, pasi cenojnë rëndë vijimin e hetimeve të kësaj ngjarjeje.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje. /a.y/noa.al

Pengmarrja në Rinas, dy të arrestuar në Shijak! Dyshohet se u rrëmbye për pazaret e vëllait