Transmetuar më 06-05-2018, 18:38

Prej kaq muajsh, Arbër Çekaj nuk gjendej dhe aksionet policore për kapjen e tij në Shqipëri, dështuan sistematikisht. Po ashtu dështoi dhe përpjekja për ta vënë në pranga përmes shpalljes në kërkim ndërkombëtar.

Por duket se pakujdesia dhe neglizhenca me thirrjet telefonike ka çuar në pranga, pronarin e biznesit ku u gjetën 613 kilogramëve kokainë.

Arbër Çekaj, 38 vjeç, u ndalua të premten në qytetin e Dusseldorfit në Gjermani.

Përgjimet lokalizuan një thirrje që 38-vjeçari kishte bërë tek të afërmit e tij nëpërmjet rrjeteve sociale.

Komunikimi audio që kishte bërë Arbër Çekaj përmes aplikacioneve në internet, bënë të mundur lokalizimin dhe më pas identifikimin e tij në qytetin e Dusseldorfit. Disa ditë më vonë, i shumëkërkuari, pronar i “Arbri Garden”, ra në duart e policisë gjermane.

Kërkimi për Arbër Çekajn erdhi pasi në kontenierin e “Arbri Garden” në vend të bananeve u gjetën 613 kilogramë kokainë e ardhur nga Kolumbia.

Kontenieri, që në ngarkesën e tij duhej të kishte vetëm banane ishte nisur nga Kolumbia dhe kishte kaluar tranzit në disa porte detare, si Itali, Maltë dhe Durrës, për t’u sekuestruar më pas në magazinën e Arbër Çekaj në Durrës.

Sipas hetimeve, trafikantët kishin krijuar një hapësirë të dyfishtë në kontenier, ku edhe kishin fshehur sasinë e kokainës të cilësisë së lartë, vlera e të cilës shkonte rreth 180 milionë euro. 

Pala gjermane ka bërë të ditur se i kërkuari i ndërronte kartat telefonike sim herë pas here, por ai nuk kishte ndërruar aparatin celular me të cilin kontaktonte me të afërm e të njohur.

Por ka qenë pikërisht kodi i “IMET-it” i aparatit telefonik, ai që zbuloi dhe lokalizoi më pas vendndodhjen e Çekajt.

Gjatë kësaj periudhe, dyshohet se Arbër Çekaj, ka udhëtuar edhe në Holandë me identitet të ndryshuar, duke marrë mbiemrin e bashkëjetueses së tij, Jansen. Për këtë arsye në hetim janë përfshirë edhe policia e holandeze në bashkëpunim me atë gjermane dhe shqiptare.

Pas lokalizimit të Çekajt në Dusseldorf përmes përgjimit, u njoftua pala shqiptare dhe një ekip i Prokurorisë shqiptare për Krime të Rënda shkoi në qytetin gjerman për të ndjekur ecurinë e hetimeve.

Tani pritet që i kërkuari t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim në Shqipëri.

Në dosjen hetimore që ka pala shqiptare për menaxherin e “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj dhe drejtuesin e kamionit, Armando Pezaku, që u arrestuan në fund të muajit shkurt 2018, tani pritet të përfshihen dhe të dhënat hetimore për Arbër Çekajn.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd