Transmetuar më 04-05-2018, 14:10

Arrestohet në Gjermani, Arbër Çekaj, personi i shpallur në kërkim, lidhur me bllokimin e 613 kilogramëve kokainë, më 27 shkurt. Çekaj është pronari i firmës ‘Arbi Garden’, së cilës iu kapën 613 kg kokainë në Maminas, në kontenierët me banane.

Policia tha zyrtarisht se në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i Çekaj. Ai është kapur në një provincë pranë Dyseldorfit.

Arbër Çekaj është pronari i firmës ‘Arbi Garden’ ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit të koduar “last snow” (dëbora e fundit).

Kapja e tij u bë e mundur në sajë të shkëmbimit të informacionit në kohë rekordë mes policisë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Vetëm ditën e sotme ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu kërkoi arrestimin e tij dhe të të shumëkërkuarit tjetër, Klement Balili.

Kujtojmë se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë në kontenierin me banane e cila kishte mbërritur në portin e Durrësit më 19 shkurt.

Sakaq Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi pas arrestimit, që shoferi Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë Donald Lushaj të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit.

Sasia e drogës 613 kg kokainë dyshohet e lidhur me një rrjet trafiku që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.

Kontenieri i mbërritur në portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë nga strukturat e Policisë së Shtetit, deri sa mbërriti në magazinat e firmës. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd