Transmetuar më 05-05-2018, 09:24

Arbër Çekaj, i arrestuar ditën e djeshme në Gjermani, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në arrati, është fshehur me identitet tjetër.

Më konkretisht pronari i firmës “Arbi Garden”, të cilës më 27 shkurt iu gjetën 613 kg kokainë në Maminas, në kontenierët me banane, kishte ndryshuar mbiemrin. 

Ai u arrestua ditën e djeshme në Dyseldorf të Gjermanisë me identitet të ndryshuar, ku nga Arbër Çekaj, rezultonte Arbër Jansen, pasi kishte marrë mbiemrin e bashkëshortes së tij nga Danuimarka.

Policia tha zyrtarisht se në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i Çekaj. Ai është kapur në një provincë pranë Dyseldorfit.

Arbër Çekaj është pronari i firmës ‘Arbi Garden’ ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit të koduar “last snow” (dëbora e fundit).

Kapja e tij u bë e mundur në sajë të shkëmbimit të informacionit në kohë rekordë mes policisë, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Vetëm pak orë para arrestimit të tij, ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu kërkoi arrestimin e Çekaj dhe të të shumëkërkuarit tjetër, Klement Balili.

Kujtojmë se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë në kontenierin me banane e cila kishte mbërritur në portin e Durrësit më 19 shkurt.

Sakaq Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të arrestuarit e vetëm të këtij operacioni, shoferi Armando Pezaku dhe administratori i kompanisë Donald Lushaj të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit.

Sasia e drogës 613 kg kokainë dyshohet e lidhur me një rrjet trafiku që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.

Kontenieri i mbërritur në portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë nga strukturat e Policisë së Shtetit, deri sa mbërriti në magazinat e firmës. /a.y/noa.al

614 kg kokainë, Arbër Çekaj arrestohet në Gjermani

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd