Transmetuar më 28-10-2025, 21:25

Tre vrasje me thikë ndodhën brenda një ore sot pasdreke në Durrës, Tiranë dhe Berat, kurse më herët një shpërthim me tritol në Shkodër la të plagosur rëndë një inspektor tatimesh.

Këto krime tronditën opinionin publik në vend dhe shumëkush e cilësoi këtë ditë, si e marta e zezë në Shqipëri.

Ditë shokuese

Një ditë e zakonshme u kthye në një “të martë të zezë” për vendin, pas tre ngjarjeve të rënda kriminale që tronditën qytetet kryesore të Shqipërisë.

Brenda pak orësh, tre persona humbën jetën pas goditjeve me thikë në Tiranë, Durrës dhe Berat, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë nga një shpërthim me tritol në Shkodër.

Sipas informacioneve zyrtare, ngjarjet kanë ndodhur për motive të ndryshme, por të gjitha kanë një element të përbashkët: përdorimin e dhunës ekstreme në mes të ditës dhe në hapësira publike.

Në Durrës, djali 25 vjeç vrau me thikë babanë dhe mori arratinë nga Shkallnur derisa orë më vonë u gjet në plazh dhe u arrestua.

Thuajse në të njëjtën kohë, në mes të Tiranës, tek lagjja "Komuna e Parisit", një sherr fatal mes picierit dhe kuzhinierit të një lokali të njohur përfundoi tragjikisht me vdekjen e shefit të kuzhinës. Autori u zhduk për tu arrestuar më pas.

Edhe më e rëndë ishte vrasja në Berat. Një burrë nga Tirana kishte marrë familje dhe shkuan për të vizituar zonën muzeale të Beratit por po kthehet i vdekur që andej.

Një përplasje për foto të fëmijës së tij mbi kalë, precipitoi deri në ekstremin që shëtitësi i kalit të qëllojë turistin me thikë duke i marrë jetën. Edhe ai u arratis nga vendngjarja. Sonte në darkë, u gjet u fshehur në një shpellë dhe u fut në qeli.

Të treja rastet kanë nxitur reagime të forta publike dhe politike. Partia Demokratike i quajti ngjarjet “pasojë e humbjes së kontrollit të shtetit dhe dështimit të Policisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”.

Ekspertë të sigurisë theksojnë se rritja e dhunës me armë të ftohta dhe shpërthimet me lëndë plasëse po bëhen një fenomen shqetësues, që reflekton tensionet sociale dhe mungesën e kontrollit të organeve të rendit në terren. Për më tepër, puna parandaluese nuk ka funksionuar, pasi në të paktën një rast, autori i dyshuar ishte me precedentë penalë dhe identitet të dyfishtë.

Ndërkohë, qytetarët kërkojnë më shumë prani policore dhe masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

A po i shpërfill krimi organet e rendit?

Ngjarjet e fundit tragjike në disa qytete të vendit ngrenë pyetjen e ashpër në opinionin publik: a po e shpërfill krimi autoritetin e shtetit dhe policinë?

Tre vrasje me thikë në një ditë dhe një shpërthim me tritol që la të plagosur një qytetar në Shkodër tregojnë për një situatë alarmante, ku reagimi institucional duket gjithnjë e më i vonuar dhe më pak efektiv. Krimi i rrugës po vepron hapur, shpesh në mes të ditës, ndërsa policia shihet më shumë në rolin e raportuesit pas ngjarjes sesa si forcë parandaluese.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se mungesa e patrullimeve, dobësimi i strukturave të hetimit dhe ndikimi i grupeve kriminale në ekonomi e politikë kanë krijuar klimën e mosndëshkueshmërisë. Dhe kur ndëshkimi mungon, krimi jo vetëm që nuk frikësohet, por ndjehet i paprekshëm.

Nëse organet e rendit nuk rikthejnë autoritetin dhe besimin qytetar, atëherë dhuna do të vazhdojë të diktojë rregullat në rrugët e vendit.

E ndërsa qytetarët u ngrysën të shqetësuar sonte pas kësaj pasditeje të zezë, është e qartë se Shqipëria po përballet me një klimë të rënduar pasigurie, ku çdo ditë duket se sjell një kronikë të re të zezë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit