

Partia Demokratike ka reaguar me tone të ashpra pas ngjarjeve të rënda që tronditën sot vendin, duke e cilësuar këtë ditë si një “të martë të zezë” për Shqipërinë.
Në një deklaratë për shtyp, PD thekson se tri vrasje me thikë në Durrës, Tiranë dhe Berat, si dhe një shpërthim me tritol në Shkodër që la një të plagosur, tregojnë gjendjen e “terrorit dhe pasigurisë totale” ku ndodhet vendi.
“Opozita ngre alarmin për humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me ‘Diellën dhe Kryeministrin diell’, ndërsa Policia e shtetit ka marrë rolin e spektatorit përballë krimit”, thuhet në deklaratë.
PD dënon me forcë çdo akt dhune, ngushëllon familjet e viktimave dhe kërkon që drejtësia të veprojë me baraspeshë, për të shmangur çdo formë vetëgjyqësie.
Sipas PD-së, “dhuna nuk mund të ndalet nga një qeveri që nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por ndarjen e drogës, territoreve dhe ndikimit elektoral me bandat”.
Në përfundim, partia opozitare thekson: “Në shtetin e Ramaduros, ka vetëm terror, frikë dhe vrasje.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






