Transmetuar më 29-03-2025, 08:23

"Do të jemi në finalen e Botërorit 2026, do të luajmë për fitimin e trofeut. Mund të më filmoni teksa e them këtë, nuk kam asnjë dyshim, do të jemi atje", Kështu fliste Dorival Junior më 10 shtator të vitit të kaluar për kombëtaren e tij.

Megjithatë, me të në stol u pa një Brazil i paaftë për t’iu dhënë përgjigje bindëse kritikëve, me Argjentinën që duket tashmë shumë larg “Selecaos” dhe që madje mund ta sfidojë për vendin e parë në Botërorin e ardhshëm të SHBA.

Aventura e Dorival Junior në krye të Brazilit tashmë ka marrë fund. Ndoshta nuk ka rrezik që verdhekaltrit të mos kualifikohen në Botëror, por situata nuk është aspak e mirë. Edhe disa ditë më parë ai bëri një deklaratë jo fort të menduar.

"Jetojmë në një vend që e do kritikën. Është për të ardhur keq, por kështu mendoj. E pranojmë kritikën, por rrallëherë marrim respektin që meritojmë. Sidoqoftë, koha vendos gjithçka në vendin e vet.

E kuptoj si funksionon futbolli dhe e pranoj sfidën e të qenit nën presion. Besoj te puna e palodhur, përkushtimi, respekti dhe serioziteti në atë që bëjmë. Kam qenë përgjegjës për kombëtaren në 15 ndeshje. Me kohën do të mund të më mbani përgjegjës për punën time".

Koha erdhi, për fat të keq. Kështu që në finalen e Botërorit 2026, ndoshta do të jetë Brazili, por jo Dorival Junior. Dhe ndoshta këto fjalë të tij do të mbeten si “vulë” edhe për të ardhmen e tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit