

Një djalë 32-vjeçar rrëfeu në polici se ishte mbajtur i burgosur – Ai i vuri zjarrin shtëpisë që ndante me 56-vjeçaren Kimberly Sullivan
Të mërkurën (26 mars), para drejtësisë doli një grua nga Connecticut-i i SHBA-ve, e akuzuar se ka mbajtur të mbyllur djalin e saj të birësuar për gati dy dekada, duke e lënë pa ushqim dhe duke e keqtrajtuar mizorisht.
56-vjeçarja Kimberly Sullivan, sipas raportimeve të CNN, u arrestua më 12 mars dhe mohoi akuzat përmes avokatit të saj, John Kaloydis. Ajo u la e lirë me një garanci prej 300,000 dollarësh.
"Ai nuk ishte i mbyllur në një dhomë. Nuk e mbante me forcë në asnjë mënyrë," deklaroi Kaloydis.
Sipas CNN, djali kishte jetuar me të akuzuarën që nga mosha 11-vjeçare dhe kishte kaluar pothuajse 20 vite në izolim, pa kontakte me botën e jashtme, pa arsimim dhe pa asnjë ndërveprim me njerëz të tjerë.
Ai më në fund ia doli të arratisej duke i vënë zjarr shtëpisë. Sipas autoriteteve, kjo ishte mënyra e tij për të marrë ndihmë. Ai u gjet nga fqinjët në gjendje të keqe shëndetësore dhe me simptoma të forta urie dhe dehidratimi.
Policia zbuloi se ai ishte detyruar të jetonte në kushte çnjerëzore, pa ngrohje, pa ushqim të mjaftueshëm dhe i izoluar nga çdo kontakt shoqëror për vite me radhë.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje në opinionin publik amerikan. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd