Transmetuar më 16-10-2024, 08:45

Në portin e Shëngjinit mbërriti mëngjesin e sotëm kontingjenti i parë me emigrantë. Pamjet që shihni duket se u shkojnë përshtat shprehjes "u mbars mali dhe polli një mi", sepse anija gjigante ushtarake e mbushur plot me policë dhe ushtarë, kishte vetëm 16 emigrantë ilegalë.

Policia e Shtetit tha zyrtarisht se në portin e Shëngjinit u ankorua anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë"

Refugjatët janë 10 nga Egjipti dhe 6 nga Bangladeshi, që të dyja vende me popullsi kryesisht të varfër dhe sidomos Egjipti, për shumë vite me probleme serioze për të drejtat e njeriut, me njerëz që zhdukeshin nga sigurimi nëse ishin kundër qeverisë.

Për politikanë italianë që kritikojnë Melonin, këta refugjatë nund të bien nga shiu në breshër, duke paralajmëruar kushte të rënda në Shqipëri.

Nicola Fratoianni (Avs), Sekretar Kombëtar i Të Majtës Italiane, tha: "ato qendra shqiptare janë të destinuara të bëhen qendra paraburgimi ferri". Të tjerë politikanë të lartë në Romës, flasin për një kamp përqendrimi që Italia ngriti në bashkëpunim me Shqipërinë.

Sakaq shumë shqetësim ka shprehur edhe Amnesty International: "Në qendra do të shqyrtohen kërkesat për azil të emigrantëve, në tokën shqiptare, por nën juridiksionin italian dhe europian dhe do të ndalohen personat në pritje të dëbimit dhe riatdhesimit, me aplikim ekstraterritorial të ndalimit administrativ”, shkruan sot Amnesty International, duke shprehur “shqetësim të fortë për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut nga masat e parashikuara nga Protokolli, veçanërisht në lidhje me ndalimin e përgjithësuar, ndalimin automatik dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në det, duke i konsideruar ato si shkelje nga Italia të detyrimeve të saj ndërkombëtare".

Në Itali ka dhe dyshime të tjera. Media vendase shkruajnë se "një numër kaq i vogël bën të lindë dyshimi se udhëtimi i shërben qeverisë më shumë se çdo gjë tjetër për të zbehur mundësinë e dështimit të projektit".

"Në fakt me një numër kaq të vogël” – komenton avokati Gianfranco Schiavone, jurist i Shoqatës së Studimeve Ligjore për Imigracionin (Asgi), – “do të ishte interesante të kuptonim se si janë përzgjedhur këta pak njerëz".

Emigrantët, të cilët ishin nisur drejt brigjeve italiane, ishin kapur në ujërat ndërkombëtare dhe ishin devijuar drejt Shqipërisë në bordin e Libra të Marinës Italiane.

Në gjithë këtë vorbull, Meloni po rrezikon shumë. Drejtësia evropiane duket se do ta hedhë poshtë marrëveshjen. Ndaj nuk është e sigurt që gjithçka do të shkojë ashtu siç shpresohet në marrëveshjen e nënshkruar mes Giorgia Melonit dhe Edi Ramës dhe që synon të sjellë një "efekt parandalues" ndaj emigrantëve. E vërteta është se nuk është e sigurt se pikat e marrëveshjes do të miratohen nga magjistratët.

Çështja është në qendër të vëmendjes për politikat e ardhshme të migracionit që do të duhet të trajtohen në nivel evropian: "Aktualisht nuk është ligjërisht e mundur që BE të ketë këtë opsion të riatdhesimit të emigrantëve në vendet e treta. Ligji i mundshëm i BE-së duhet të rregullojë riatdhesimin e detyruar në një vend të tretë përveç vendit të origjinës" dhe është "diçka që po shqyrtojmë". Kështu u shpreh dje paradite një zëdhënëse e Komisionit të BE-së në përgjigje të një pyetjeje për modelin Itali-Shqipëri.

Brenda kampit të shumëpërfolur është krijuar një qendër pritjeje për azilkërkuesit me 880 vende, një sektor i dytë më i izoluar, me 144 vende, ku do të strehohen personat e destinuar për dëbim dhe një burg me 20 vende për ata që kryejnë krime brenda zonës.

Vendi është i rrethuar me mure dhe gardhe dhe i monitoruar nga kamera. Praktikisht duket më shumë si një burg sesa kamp. Refugjatët shqiptarë e kujtojnë mirë Italinë e viteve 90, kur kampet ishin vetëm qendra pritjeje dhe jo izolimi të detyruar si kampi i hapur sot në Gjadër.

Brenda, zbatohet juridiksioni italian dhe zbatimi i ligjit italian do të garantojë sigurinë.

E gjithë procedura, duke filluar nga aplikimi për azil, duhet të përfundojë brenda 4 javësh: ata që kanë të drejtë do të transferohen në Itali, ata që nuk kanë do të riatdhesohen pas qëndrimit në izolim. Koha e apelimeve ësjtë shkurtuar në mënyrë dramatike  – parashikohen lidhje video me gjykatën e Romës për t’i shqyrtuar – është katandisur në vetëm 7 ditë apelimi, me dekretin e miratuar së fundi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit