Transmetuar më 21-07-2024, 21:27

Dy vjet më parë, më 2022, një hasmëri nis mes fiseve Kalemi dhe Sadikaj e Papa.

Hasmëria ka precipituar ashpërsisht me disa viktima për të arritur kulmin mbrëmjen duke gdhirë dita e diel kur në qendër të Memaliajt u vranë tre persona dhe u plagos një tjetër.

Hetimi policor sugjeron se në shënjestër të atentatit në Memaliaj ishte Shyqyri Kalemi, 74 vjeç.

I ndjeri ishte babai i Andrea Kalemit, emri i të cilit është i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë.

Zbardhen hetimet/ Biznesmeni Edmond Papa u ekzekutua si hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt

I plagosur mbeti edhe Artur Kalemi, vëllai i viktimës Shyqyri Kalemi.

Por në atentat humbën jetën edhe dy persona të rastit, kamerieri dhe një klient që ishin në lokal në momentin kur autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Para krimit të 20 korrikut, saga e përgjakur nisi me shpërthimin tronditës pranë TEG-ut më 11 qershor 2022 kur u vra Aleksandër Sadikaj.

Djali 27 vjeçar u eliminua me një shpërthim me telekomandë në makinën e tij.

Sipas hetimeve ai ishte person me precedentë kriminalë në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.

Sadikaj dyshohej edhe se kishte kryer një vrasje në Athinë për prishje pazaresh të drogës.

Disa muaj më pas, më 16 dhjetor 2022 u vra po në Tiranë, pranë Selitës, biznesmeni Edmond Papa. Atëherë policia tha se krimi ishte hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.

Hetimi sugjeronte se autorë ishin miqtë e Andrea Kalemit.

Viktima Papa kishte ardhur nga Saranda në Tiranë dhe dukej se autorët prej kohësh ruanin lëvizjet e tij.

Në vijim pati tre atentate, dy ndaj Andrea Kalemit në 2023 dhe një ndaj vëllait të tij Adriatik Kalemi, në janar të këtij viti.

Dyshimet janë se, në pamundësi për të vrarë Andrea Kalemin, hakmarrësit këtë herë shënjestruan të atin e tij Shyqeri Kalemi, duke ia dalë ta vrasin atë.

Masakra e Memaliaj, dalin detaje të reja për atentatin me 3 të vrarë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit