Transmetuar më 21-07-2024, 21:00

Dalin detaje të reja për atentatin me 3 të vrarë në qendër të qytetit Memaliaj ku u plagos dhe një person i katërt.

Hetimet e kryera gjatë të dielës nxjerrin se shënjestër i atentatit dyshohet të ketë qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit. Ai mbeti i vrarë nga sulmi me kallashnikov.

I ndjeri ishte ulur në tavolinë me vëllain, por plumbat kapën edhe kamerierin dhe një klient.

Në foto shikoni viktimat Shyqyri Kalemi, kamarierin Gledio Muka, 36 vjeç, dhe klientin Marsel Çela, 37 vjeç.

Nga të dhënat hetimore mësohet se kamerieri ndodhej afër tavolinës së Shyqyriut kur plasi breshëria e plumbave, ndërsa klienti Marsel Çela gjendej rastësisht në lokal, por është kapur edhe ai nga plumbat.

Hetimi sugjeron se krimi masakër erdhi si një hakmarrje, pasi Andrea Kalemi është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa.

I plagosur ka mbetur 57 vjeçari Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me të vëllanë Shyqyri (Shyqo) Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Artur Kalemi i është nënshtruar një operacioni dhe i janë hequr të tre plumbat. Raportohet se ai është në gjëndje të qëndrueshme në spitalin rajonal të Gjirokastrës Omer Nishani.

Në të dhënat hetimore sugjerohet se intesiteti i të shtënave dhe inspektimit të vendgjarjes të çojnë në dyshimi  se kanë qenë të paktën 3 persona që kanë marrë pjesë në atentat duke qëlluar me më shumë se një armë zjarri.

Dëshmitarët thanë se autorët kishin shkuar pranë lokalit me një makinë të zezë, nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit.

Një nga personat në makinë ka dalë jashtë saj dhe ka hapur zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim të 74-vjeçarit Shyqri Kalemi, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit.

Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti që mbeti vdekur ndodhej brenda në lokal.

Masakra u mbyll me djegien e makinës në fshatin Bejaj pasi autorët u larguan në drejtim të Mallakastrës, duke iu zhdukur ndjekjes policore.

Policia tha se autorët u larguan me automjetin tip BMW, që u gjet i djegur pak orë më pas në fshatin Bejaj të Mallakastrës dhe se brenda mjetit u gjendën edhe 3 armë me silenciator.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit