Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe ka rreth dy vjet që nuk është mbledhur. Akademiku Ethem Likaj në reagimin e tij pohon se Akademia e Shkencave në bashkëpunim edhe me Universitetin e Tiranës, për një kohë të gjatë kanë bërë një punë të madhe për hartimin e dokumenteve gjuhësore normative në shërbim të shqipes standarde, por shton ai detyrë parësore mbetet zbatimi me ndërgjegje dhe me përgjegjësi i këtyre dokumenteve në shkolla, institucione dhe gjithandej ku flitet dhe duhet folur gjuha shqipe.
Sipas akademikut dhe gjuhëtarit Ethem Likaj, standardi jo vetëm që nuk ruhet, por dëmtohet keq, në qoftë se edhe specialistët me formim gjuhësor profesional, pra mësuesit e gjuhës shqipe, kur japin mësim të çdo lloji, nuk flasin gjuhën standarde, por dialektin përkatës.
Në një intervistë për “SOT” ai pohon se tashmë janë kryesitë e të dy akademive, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të cilat do të vendosin se kur do të mblidhet.
Por në shqetësimet e akademikut të njohur janë dhe problemet që janë sot për gjuhën shqipe.
Për akademikun standardi dëmtohet edhe nga tekste të çdo lloji të shkruara keq, apo të ndërtuara metodikisht keq, dëmtohet edhe nga çdo intelektual apo i shkolluar në përgjithësi, që priret të mos shkruajë apo të mos flasë në gjuhën standarde.
Profesor! Sa shqetësuese janë për ju problemet, që has sot gjuha shqipe në të shkruar dhe në të folur, kur fjalët e huaja futen vend e pa vend?
Në përdorimin e fjalëve të huaja duhet mbajtur një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht dhe praktikisht. Dihet se disa nga fjalët e huazuara janë bërë pronë e gjuhës sonë, prandaj zëvendësimi i tyre me fjalë të tjera të shqipes nuk mund të bëhet. Këto fjalë nuk dallohen më nga fjalët e tjera të shqipes; ato janë përvetësuar plotësisht nga shqipja, si: karrocë, fytyrë, pemë, qytet, shëndet, rrugë etj. Kanë zënë vend, natyrisht, edhe fjalët ndërkombëtare të fushave të ndryshme të veprimtarisë shkencore, politike, ekonomike, teknike, artistike dhe shoqërore, si: filozofi, gramatikë, mikroskop, radio, telegraf, kompiuter, biznes, balet, muzikë etj.
Fjalët e tjera të huaja, kur përdoren – dhe më keq akoma, kur pranohen – pa nevojë, në qoftë se ne kemi fjalët tona, e dëmtojnë gjuhën. Ato mund të pranohen dhe të përdoren vetëm në ato raste, kur ato sjellin një kuptim të ri a ngjyrim tjetër emocional a artistik, që nuk e ka shqipja. Por në kohën tonë gjuha shqipe është e hapur përballë gjuhëve të huaja, veçanërisht përballë anglishtes dhe gjuhëve të vendeve, ku punojnë dhe jetojnë emigrantët tanë.
Nga këto gjuhë, dhe nga gjuhë të tjera, shqipja ka marrë dhe do të marrë fjalë që nuk i ka vetë. Shumë emërtime të fushave të ndryshme, që kanë një zhvillim të veçantë e intensive, do të vijnë në shqipe në mënyrë të natyrshme bashkë me konceptet që shprehin, sepse mbushin një boshllëk në fjalësin e shqipes. Këto huazime, të të dyja llojeve, kanë vlerë pasuruese, por, kur bëhet pa kurrfarë kriteri e pengese, kthehet në një dukuri të dëmshme për gjuhën. Prandaj duhen bërë përpjekje edhe për t’i penguar, edhe për t’i zëvendësuar këto huazime me fjalë shqipe me të njëjtin kuptim. Në ndihmë të kujtdo, që do dhe duhet ta pastrojë gjuhën shqipe nga këto huazime të panevojshme dhe të dëmshme, mund të shfrytëzojë një botim të veçantë të vitit 1998, të emërtuar “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”. Por ka edhe në seri numrash të revistës “Gjuha jonë”, ku në rubrika të veçanta, të emërtuara “Fjalë shqipe në vend të fjalës së huaj”, rekomandohen fjalë shqipe, të cilat mund dhe duhet të zëvendësojnë shumë fjalë të huaja.
Sipas jush, sa përpjekje bëhen nga institucionet shtetërore për mbrojtjen e gjuhës shqipe?
Natyrisht që institucionet shtetërore e duan dhe duan ta mbrojnë gjuhën shqipe, por çështja themelore është si, në ç’mënyrë a mënyra, duhet të përpiqen ato jo aq për ta mbrojtur sesa për ta zbatuar sa më mirë dhe sa më plotë atë, në radhë të parë, brenda vetes dhe në përgjithësi.
Ju, si akademik dhe gjuhëtar, ç’kërkoni të bëhet për mbrojtjen e shqipes standarde?
Akademia e Shkencave në bashkëpunim edhe me Universitetin e Tiranës dhe shkolla të larta, për një kohë të gjatë, kanë bërë një punë të madhe për hartimin e dokumenteve gjuhësore normative në shërbim të shqipes standarde. Falë përpjekjeve dhe punës së këtyre institucioneve, nga Akademia e Shkencave janë botuar vepra themelore normative gjuhësore, si: “Gramatika e gjuhës shqipe” në dy vëllime (në disa botime), “Fjalori i gjuhës shqipe” (botuar disa herë me plotësime dhe përmirësime), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” etj. Më parë, dhe sidomos tani dhe në çdo kohë, detyrë parësore mbetet zbatimi me ndërgjegje dhe me përgjegjësi i këtyre dokumenteve në shkolla, institucione dhe gjithandej ku flitet dhe duhet folur gjuha shqipe e përbashkët dhe e kuptueshme për të gjithë.
Por nuk mjafton të tregohet se cila është gjuha më e mirë dhe më e plotë për të gjithë. Duhen gjetur edhe rrugët më të efektshme për zbatimin dhe përvetësimin e saj. Zbatimi saj kërkon orientim, udhëzim, për të mos thënë ligj, nga institucionet ligjvënëse e udhëzuese. Përvetësimi i saj kërkon angazhim të kualifikuar metodik dhe shkencor, që fillon nga përgatitja e mësuesve të gjuhës të të gjitha niveleve, hartimi i teksteve, i metodikave dhe i teknologjive bashkëkohore.
Sipas jush, kush e dëmton gjuhën standarde, ku duhet përqendruar vëmendja për mbrojtjen e saj?
Në radhë të parë gjuhën standarde e dëmton sot mendësia që ka filluar të shtrihet prej disa vitesh se standardi nuk duhet të jetë i detyrueshëm, ose se ai nuk duhet shtrirë gjithandej, duke i lënë kufijtë e shtrirjes së tij thuajse të papërcaktuar. Pa pretenduar të jap një gjykim kategorik për karakterin e zbatimit të këtij standardi, për njohjen e tij nga të gjithë, mendoj se nuk duhet të ketë ndonjë kufizim. Por, sipas meje, do të ishte më mirë edhe zbatimi i tij nga të gjithë. Sido që të jetë, prirja që vihet re në disa raste për ta mënjanuar me qëllim atë, është shumë e dëmshme.
Standardi jo vetëm që nuk ruhet, por dëmtohet keq, në qoftë se edhe specialistët me formim gjuhësor profesional, pra mësuesit e gjuhës shqipe, kur japin mësim të çdo lloji, nuk flasin gjuhën standarde, por dialektin përkatës. Standardi dëmtohet edhe nga tekste të çdo lloji të shkruara keq, apo të ndërtuara metodikisht keq; dëmtohet edhe nga çdo intelektual apo i shkolluar në përgjithësi, që priret të mos shkruaj apo të mos flasë në gjuhën standarde. Dëmtohet rendë nga çdo shkresë zyrtare të shkruar në dialekt; dëmtohet nga gjuha e keqe e radios e televizionit, e politikanit të çdo lloji etj.
Profesor! Ç’po ndodh me Këshillin Ndër-akademik të Gjuhës Shqipe? Ka disa kohë që nuk është mbledhur, edhe pse është pohuar se janë mbledhjet e fundit që do të zhvillohen.
Po. Është e vërtetë që Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe ka rreth dy vjet që nuk është mbledhur. Kjo ka ndodhur për arsye se ai e ka shqyrtuar gjithë tematikën e programuar; ka paraqitur edhe propozimet përfundimtare, të cilat janë depozituar pranë akademive përkatëse për vendime të mëtejshme. Janë kryesitë e të dy akademive, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të cilat do të vendosin se si do të veprohet më tej.
Kur flasim për gjuhën shqipe në shkollë, ç’duhet bërë më tepër; a është e mjaftueshme lënda?
Duhet mbajtur parasysh një gjë që gjuha standarde përgjithësisht mësohet në shkollë dhe kryesisht në ciklin që mbyll mësimin e gjuhës, por kjo nuk do të thotë se vazhdimi i mësimit të saj edhe më tej është i dëmshëm. Ka vende ku studimi i saj vazhdon edhe në shkollat e larta në thuajse të gjitha specialitetet. Programet e hartuara kohët e fundit për këtë lëndë i përmbajnë mirë njohuritë, që duhet të marrin nxënësit; edhe tekstet kanë përmirësime të ndjeshme.
Megjithatë, për hartimin e tyre, ka rëndësi zgjedhja e autorëve ja aq nga niveli i përgatitjes shkencore të tyre sesa nga përgatitja metodike. Do të ishte më mirë që hartimi i këtyre teksteve të bëhej nga mësues me kulturë, të përgatitur shkencërisht po e po, por edhe me përvojë metodike e mësimdhënieje, kurse redaktimi shkencor mund të bëhej nga pedagogë të shkollave të larta, sepse nganjëherë tekstet dalin me mangësi të zgjedhjes dhe të të shtrirjes së tematikës, por sidomos në përzgjedhjen e shembujve.
/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd