Transmetuar më 08-02-2020, 10:32
Saimir Taullau, Durim Bami, Dashamir Gjoka

Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, sekuestrohen disa automjete luksoze, të personave të cilëve iu është dorëzuar formulari për të provuar pasurinë, në kuadër të aksionit “anti-KÇK”.

Policia bën me dije se në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, nxori urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit.

Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të Saimir Taullaut, banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Dashamir Gjoka, banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore dhe Durim Bami, banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.

Saimir Taullau, biznesmen nga Lushnja, iu bë atentat në nëntor të vitit 2018 në rrethrrotullimin e Plugut, para lokalit të tij. Saimiri është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë.

Në tetor të vitit 2017, atij iu bë një tjetër atentat, por sërish arriti të shpëtojë me vetëm një plumb. Saimir Taullau, njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali.

Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.

Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.

Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati dy dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, ngjarje ende nuk është zbardhur.

Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.

Sakaq biznesmenit Dashamir Gjoka iu bë atentat me armë zjarri në vitin 2017 teksa udhëtonte me makinën e tij, ndërkohë që shpëtoi pa lëndime.

Ai rezulton pronari i kompleksit “Gjoka” në Shijak.

Durim Bami është person i dënuar për kallëzim të rremë ndaj atentatit të deputetit Tom Doshi. Durim Bami u arrestua në 3 mars 2015dhe në 6 mars Krimet e Rënda caktuan ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

Kjo akuzë ra dhe më pas Gjykata e Tiranës me vendim të datës 8 maj 2015 caktoi ndaj tij arrest në shtëpi për akuzën e kallëzimit të rremë.

Ai u dënua për kallëzim të rremë me 1 vit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ajo u reduktua në 8 muaj dhe për shkak se dënimi ishte më i vogël se masa e sigurisë në kohëzgjatje ajo u shua dhe ndaj Bamit s’ka asnjë dënim në fuqi. /a.y/noa.al

OFL kërkon të provojnë pasurinë “Ben Qimja” dhe Saimir Taullau

Merret në pyetje Dashamir Gjoka, çfarë i sekuestroi OFL pasi deklaroi pasurinë

“Të provojnë pasurinë”, OFL iu dorëzon formularin tre personave të dyshuar/ Emrat