Transmetuar më 07-02-2020, 11:20
Arben Isufaj, Saimir Taullau

Operacioni Forca e Ligjit në kuadër të aksionit "anti-KÇK" iu dorëzon formularin e deklarimit të pasurisë, dy personave me precedentë penalë dhe me pasuri të dyshimta.

Gjatë ditës së sotme OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Saimir Taullait, banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.

Saimir Taullau, biznesmen nga Lushnja, iu bë atentat në nëntor të vitit 2018 në rrethrrotullimin e Plugut, para lokalit të tij.47-vjeçari është vëllai i Baki Taullaut dhe është i skeduar nga Policia e Shtetit si një person me precedent të mëparshëm penalë.

Në tetor të vitit 2017, atij iu bë një tjetër atentat, por sërish arriti të shpëtojë me vetëm një plumb. Saimir Taullau, njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali.

Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.

Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.

Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati dy dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, ngjarje ende nuk është zbardhur.

Në dëshminë  e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.

Po ashtu nga OFL u dërgua formulari edhe për Arben Isufaj, banues në Fier, i cili është nën hetim në Itali, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, u arrestua në vitin 2014 si i kërkuar nga drejtësia italiane, pasi Gjykata e  Torinos në vitin 2010, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

“Ben Qimja” është arrestuar edhe më parë nga autoritetet shqiptare në vitin 2009 si i akuzuar në një vrasje por çështja ndaj tij u pushua për mungesë provash dhe ai u la i lirë.

Dy të dyshuarit, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme.

Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Gjatë kësaj periudhe janë dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar materialet për shtetasit A. H., L. H., G. F., G. M., A. D., M. B. dhe A. D. /a.y/noa.al