Transmetuar më 07-02-2020, 20:15

Operacioni Forca e Ligjit, e ngritur në kuadër të nismës “anti-KÇK”, ka sekuestruar automjetin e blinduar të Dashamir Gjokës pasi i dorëzoi formularin për deklaramin e pasurisë.

Sekuestroja është marrë si emergjencë. Përveç kësaj, Gjoka është paraqitur në polici ku ka dhënë dëshminë dhe më pas është lënë i lirë.

Para dy ditësh, përfaqësuesja e OFL tha se në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, në vijim të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, janë nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, tre personave të dyshuar.

Ndër ta ishte biznesmeni Dashamir Gjoka, me banim në Durrës, pasi rezultonte i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

Kujtojmë se biznesmenit Gjoka iu bë atentat me armë zjarri në vitin 2017 teksa udhëtonte me makinën e tij, ndërkohë që shpëoi pa lëndime.

Sakaq ai rezulton pronari i kompleksit “Gjoka” në Shijak.

Gjoka, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjet me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.

Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.

Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre.

“Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda”, deklaroi përfaqësuesja e OFL më 5 shkurt. /a.m/noa.al

Lexo edhe: “Të provojnë pasurinë”, OFL iu dorëzon formularin tre personave të dyshuar/ Emrat

“Anti-KÇK”, OFL i dorëzon formularin Lul Berishës dhe Ardian Çapjas: Të justifikojnë pasurinë në 48 orë

Zbardhet atentati ndaj biznesmenit Dashamir Gjoka, dy persona në kërkim

I shpëtoi atentatit, flet i “forti i Shijakut”, Dash Gjoka tregon si ndodhi ngjarja

Dy ditë më parë, në ditën e tretë të punës në terren, Operacioni “Forca e Ligjit”, i dërgoi biznesmenit nga Shijaku formularin e deklarimit të pasurisë, ku duhet të faktojë para drejtësisë së re, prokurorisë dhe gjykatës speciale, SPAK dhe GJKKO se pasuritë e tij janë me burime të ligjshme dhe të ardhura të justifikuara.

Dyshohet i përfshirë në aktivitete kriminale-hetimi për pasurinë që në 2016

Dashamir Gjoka rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”. Pasuria e Dashamir Gjokës është konfiskuar edhe më herët, në vitin 2017. Gjykata për Krime të Rënda në sajë të hetimit pasuror në zbatim të ligjit anti-mafia dhe një hetimi pasuror nga Prokuroria e Durrësit (në 2016-ën) për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, vendosi konfiskimin me dyshimin se super-pasuritë e regjistruara në emër të Dashamir Gjokës dhe familjarëve të tij në një vlerë mbi 200 milionë lekë të reja, janë vënë nga aktiviteti kriminal në Itali, ku rezulton i dënuar me 7.5 vite burg.

Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë, nisur prej vitit 2015 kur prokuroria kërkoi sekuestron e pasurive të tij, duke e detyruar Dashamir Gjokën të deklaronte burimin e pasurisë se tij dhe justifikimin e saj me fatura apo transaksione bankare. Por më tej, Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, një vendim të cilit prokuroria i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Por me vendimin e Apelit, i cili është i formës së prerë, të gjitha supër-pasuritë e sekuestruara të biznesmenit nga Shijaku, u liruan.

Në kërkesën për konfiskim, prokuroria për Krime të Rënda në atë kohë, deklaronte se “gjatë fazës hetimore, i pandehuri dhe mbrojtja e tij paraqitën disa dokumente jo-zyrtarë, në bazë të të cilave justifikonin faktin se pasuritë ishin krijuar nga huamarrja prej personave të ndryshëm. Në asnjë rast, këto huamarrje nuk provohen me dokumentacion të rregullt ligjor, duke krijuar bindjen se ato janë fiktive, me qëllim mbulimin e të ardhurave të pajustifikuara”.

Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të Dashamir Gjokës “nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave,fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij”, shprehej prokuroria.

Dashamir Gjoka u arrestua në vitin 2013 pas një kërkesë të palës italiane për ekstradimin e tij pas procesit atje për trafikim të qenieve njerëzore. Por kjo kërkesë nuk u ekzekutua asnjëherë pasi gjyqësori shqiptar në të tre shkallët e tij e refuzoi ekstradimin dhe pse Prokuroria e Durrësit e lejoi atë.

Ndërkohë, dy vite më parë ai i ka mbijetuar edhe një atentati me kallashnikov. Persona të armatosur hapën zjarr me kallashnikov në drejtim të automjetit të Gjokës, i cili ishte i blinduar dhe për rrjedhojë arriti të shpëtojë.

Pasuritë e Dashamir Gjokës

Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës;

Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës;

Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.