Transmetuar më 24-08-2017, 12:09

Zbardhet atentati i ndodhur pasditen e djeshme ndaj biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka, ku ndaj mjetit të tij u qëllua me armë zjarri.

Pas hetimeve intensive nga ana e policisë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar E.K., 32 vjeç dhe M.K., 36 vjeç, banues në Shijak.

Të dyshuarit, vëllezër më njëri-tjetrin, pak pas mesditës së djeshme në vendin e quajtur “Komuna Xhafzotaj”, Shijak, dyshohet se duke lëvizur me një mjet tip Benz kanë qëlluar me automatik automjetin tip Benz të blinduar po në lëvizje që drejtohej nga biznesmeni 46-vjeçar, banues në Shijak.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të dëmtuar, ku pronari i kompleksit “Gjoka” në Shijak shpëtoi pa lëndime.

Sakaq gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u fiksuan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.

Në cilësinë e provës materiale u bllokua mjeti tip “Benz”, në të cilin dyshohet se kanë qenë dy vëllezërit e dyshuar në momentin e goditjes me armë zjarri.

Grupi hetimor nuk jep më shumë detaje mbi ngjarjen për shkak të hetimeve, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit lidhur me veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Mësohet se në momentin që u qëllua drejt mjetit të biznesmenit, Gjoka ndodhej në makinë bashkë me të shoqen dhe tre vajzat e tyre.

Por për t’i shpëtuar atentatin ai ka shtuar shpejtësinë, duke u drejtuar për në komisariat ku ka bërë denoncimin mbi çfarë i ka ndodhur.

Biznesmeni Gjoka rezulton i dënuar në vitin 2007 në Itali me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Trafikim i personave”.

Po ashtu në shtator të vitit 2015, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në sekuestro 11 mijë metra katrorë truall, ndërtime e biznese, si dhe 15 mijë metra katrorë tokë arë, pasi dyshohej se Gjoka i kishte krijuar nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur rreth 200 milionë lekë të reja.

Më 4 mars të këtij viti, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të Gjokës. Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj tij nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

Por më 20 korrik 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda hoqi sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit Dashamir Gjoka. /a.y/noa.al

Mjeti i blinduar i biznesmenit që iu bë atentat, u ndoq nga një tjetër makinë

Të shtëna me armë zjarri në Shijak, qëllohet me kallashnikov makina e biznesmenit të njohur

Gjykata i kthen pronën “të fortit” të Shijakut, ishte dënuar në Itali

“Antimafia”/ Gjykata konfiskon pasuritë e Dashamir Gjokës, u krijuan nga prostitucioni

Krimet e Rënda kërkojnë konfiskimin e pasurive të Dashamir Gjokës

Ligji “Antimafia”, sekuestrohen pasuritë e Dashamir Gjokës në Shijak