Transmetuar më 10-08-2018, 09:21

Shkodra u trondit sot nga një vrasje me armë zjarri. Viktimë mbeti 53-vjeçari Fatbardh Lici.

Ai u vra me breshëri plumbash teksa ishte ulur në tavolinën e një lokali në trotuar. Autorët u larguan me shpejtësi dhe mjetit të përdorur për vrasjen i vunë zjarrin në fshatin Dobraç.

Pista kryesore ku po heton policia është ajo e hakmarrjes. Ai dyshohej për përfshirje në vrasjen e Astrit Kurmemajt 7 vite më parë, në 14 Mars të vitit 2011 ngjarje e ndodhur po në lagjen “Kiras”.

Aso kohe, Kurmemaj sapo kishte dalë nga burgu me leje. Ai u ekzekutua në një rrugë dytësore teksa në kokë mbante kapele për të mos u njohur, por atentatorët kishin informacione.

Ai vuante dënimin për vrasjen e Luan Muçës, ngjarje për të cilën ishte dënuar me 14 vite burg. Po ashtu, Kurmemaj dyshohej edhe për vrasjen e kushëririt tjetër Genc Muça, për të cilën nuk u vërtetua dot fajësia e tij.

Historia e përplasjeve ka nisur shumë më herët. Në vitin 1998 ndodh vrasja e Genc Muçës. Ndërkohë në vitin 2002 ekzekutohet Besnik Kurmemaj.

Kjo ngjarje pasohet me kundërpërgjigjen e kësaj familjeje pasi në vitin 2003 vritet Luan Muça, ngjarje për të cilën Astrit Kurmemaj u dënua me 14 vite burg.

Ndërkohë, para se të vritej ky i fundit në vitin 2011, një atentat i është bërë edhe djalit të tij adoleshent. Në shkurt të vitit 2011, është qëlluar me armë ndaj djalit 16-vjeçar të Astrit Kurmemajt por ai shpëtoi mrekullisht.

Në morinë e atentateve mes familjeve, është edhe një tjetër viktimë, misionari i pajtimit të gjaqeve Emin Spahija. Ky i fundit ishte ndërmjetës mes dy familjeve për pajtimin e tyre por mbeti edhe vetë viktimë në vitin 2004.

Kjo ngjarje ka mbetur ende mister pasi nuk është zbuluar autori./a.m./noa.al/

Kush është personi i ekzekutuar në Shkodër, dyshohej për përfshirje në një vrasje

Tronditet Shkodra, ekzekutohet me armë zjarri një person

Atentati, viktima ishte vëllai i politikanit të njohur shkodran