Transmetuar më 10-08-2018, 08:28

Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi Shkodrën gjatë orëve të para të mëngjesit ku një 53-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri.

Viktimë mbeti shtetasi Fatbardh Lici. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-Poçeria, në lagjen “Kiras”.

Ai është vrarë me armë zjarri në rrugë nga persona ende të paidentifikuar nga policia.

Sipas informacioneve paraprake, mendohet se autorët e krimit kanë qenë dy persona. Një person ishte ekzekutori ndërsa i dyti drejtonte automjetin me të cilin u larguan pas krimit.

Disa minuta më vonë, policia gjeti në fshatin Dobraç një automjet tip “Benz” duke u djegur. Dyshohet se është pikërisht makina e përdorur nga ekzekutorët.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për identifikimin e autorëve. Pista kryesore ku po hetohet për momentin është ajo e hakmarrjes.

Viktima ka qenë i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e shtetasit Astrit Kurmemaj, ngjarje kjo e ndodhur në Mars të vitit 2011.

Njoftimi paraprak i policisë:

Më 10.08.2018 rreth orës 07:15 jemi njoftuar se në lagjen Guerile, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi F. L. 53 vjeç, banues në lagjen Guerile Shkodër. 

Menjëherë kanë shkuar forca të shumta të policisë dhe janë ngritur pika kontrolli ku po bëhet dhe krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve 

Gjithashtu në fshatin Dobraç është gjetur duke u djegur një mjet tip “Benz” i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen. 

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Shkodër për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./a.m./noa.al/

foto ilustruese