








“Arrest me burg” është masa e sigurisë e dhënë ditën e sotme nga Gjykata e Fierit, për 31-vjeçaren Anna Malaj dhe kushëririn e saj Emiljano Grembi 22, vjeç, të akuzuar për grabitjen me armë të një karburanti në Levan dhe tentativën e grabitjes në dy raste të tjerë.
Mësohet se gjatë seancës në ngarkim të tyre dy të rinjtë kanë shfaqur pendesë, "Jemi penduar, për çfarë kemi bërë".
Ngjarja bëri bujë, pasi Malaj, rezulton e vetmja femër e arrestuar në vendin tonë gjatë viteve të fundit, për grabitje me armë.
E reja bashkëpunonte me kushëririn e saj, 22-vjeçarin Emiljano Grembi nga fshati Belinë, e Patosit.
Dy të rinjtë i kryenin grabitjet duke përdorur një armë gjahu dhe një automjet, të cilit i vendosnin targa të vjedhura. Por ata u zbuluan nga kamerat e sigurisë së karburanteve.
Nga hetimet e kryera dhe analizimi i të dhënave, u krijuan dyshimet se autorja mund të ishte Anna Malaj, i cili më parë ka pasur emrin Jonida, por që e ka ndryshuar.
Teksa policët i shkuan në banesë dhe e pyetën të renë nëse kishte armë, ajo ka pohuar, duke e dorëzuar. Gjithashtu në oborrin e shtëpisë është gjetur e parkuar edhe makina ngjashme me atë të përdorur gjatë grabitjes.
Hetuesit konstatuan se arma dhe makina, ishin të njëjtat e përdorura në grabitjet në karburante.
Po ashtu një tjetër detaj që u zbulua është fakti se kamerat kishin fiksuar një medaljon, ku rezultoi i njëjti me atë që 31-vjeçarja kishte në qafë.
Kanë mjaftuar këto fakte për të kryer edhe shoqërimin e 31-vjeçares të cilës i janë marrë deklarimet përkatëse lidhur me tre ngjarjet.
E vendosur përballë provave, e reja është detyruar të pranojë autorësinë, duke treguar se grabitjen e parë e ka bërë, në gjendje të dehur, një ditë pas ditëlindjes së saj.
Malaj ka treguar se bashkë me Emiljanon në gjendje të dehur, kanë vjedhur karburantin në zonën e Levanit.
Por për këtë rast ka treguar se e ka bërë për hakmarrje, pasi disa ditë më parë kur është kthyer nga Vlora në Fier, kishte furnizuar makinën me karburant në këtë pikë.
Sipas pretendimeve të 31-vjeçares, teksa i ka dhënë punonjësit të karburantit 50 euro, ai nuk i ka kthyer kusur, duke bërë manovra me kursin e këmbimit.
Malaj ka thënë se që nga ai moment ishte mërzitur, duke menduar më tej që të merrte hak duke kryer grabitjen.
Rezulton se Anna Malaj, jetonte me të motrën në fshatin Visokë, ndërsa prindërit i kishte në Greqi. Ajo është nënë e një djali rreth 10 vjeç, i cili jeton me prindërit e saj në Greqi, fryt i një bashkëjetese të saj disa vite më parë, kur edhe ajo jetonte në shtetin fqinj.
Por halla e saj, nëna e Emiljanos, tha ditën e sotme për mediat, se Anna ka edhe një vajzë dhe se viteve të fundit ka jetuar në Gjermani.
Fetie Grembi deklaroi se e kishte dëbuar disa herë mbesën nga shtëpia, për shkak se e dinte me se merrej, duke e akuzuar se i mori edhe djalin më qafë.
Policia tha zyrtarisht se Anna Malaj, në bashkëpunim me kushëririn e saj Emiljano Grembi, nën kërcënimin e armës, në 2 korrik, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.
Gjithashtu më 7 korrik, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.
Më 15 korrik, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilën shkonin në vendngjarje, një armë gjahu teke dhe 6 fishekë, si dhe një palë doreza dhe katër targa mjeti të falsifikuara.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jenë përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. /a.y/noa.al
Mbesa me djalin akuzohen për grabitje në karburante, nëna: Tim bir e mori më qafë Anna
Grabitësja e karburanteve, tregon pse vjedhjen e parë e bëri pas ditëlindjes
Flet grabitësja Anna: Punëtori i karburantit nuk më ktheu reston, u hakmorra!
Bashkë me kushërirën grabisnin me armë karburantet, kapet fieraku i shpallur në kërkim
“Parkoi makinën dhe…” Flet punonjësi i karburantit që u grabit nga Anna
Grabitësja nga Mallakastra, që bënte gjëmën në karburante bashkë me kushëririn
“Tmerri” i karburanteve në Fier, arrestohet një vajzë, në kërkim bashkëpunëtori i saj në grabitje
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





