Transmetuar më 22-07-2018, 09:55

Zbardhet grabitja e një karburanti dhe tentativa për të kryer dy vjedhje të tjera, duke vënë në pranga një vajzë dhe duke shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e saj.

Nga hetimet e kryera nga policia e Fierit, ku dy persona nën kërcënimin e armës, gjatë orëve të vona të natës shkonin për të vjedhur pika të ndryshme karburantesh, u bë identifikimi dhe arrestimi i Anna Malaj, 31 vjeçe, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë e Fier dhe po punohet për kapjen e

E.G., 22 vjeç, banues në fshatin Belinë, Patos.

Dy të rinjtë, kushërinj me njeri tjetrin, nën kërcënimin e armës më 2 korrik, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.

Gjithashtu më 7 korrik, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Më 15 korrik, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilën shkonin në vendngjarje, një armë gjahu teke dhe 6 fishekë, si dhe një palë doreza dhe katër targa mjeti të falsifikuara.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jenë përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd