







Anna Malaj, 31-vjeçarja nga fshati Visokë e Mallakastrës dhe kushëriri i saj 22-vjeçar Emiljano Grembi, dolën sot para Gjykatës së Fierit, ku do të merret masa e sigurisë ndaj tyre.
Por nëna e të riut, Fetie Grembi thotë se i biri Emiljano është marrë më qafë nga kushërira dhe se nuk është i përfshirë në grabitjen e karburanteve.
“Djali është i pafajshëm, e mori më qafë ajo vajza e vëllait. E kam nxjerr disa herë nga shtëpia mbesën. Nuk më pëlqente çfarë bënte. Më tha se i duhej djali pasi ishte vetëm dhe kishte frikë të vepronte e vetme. Edhe armën ajo e kishte”, u shpreh Fetia.
Ajo ka shtuar më tej se Anna është nënë e një vajze dhe një djali dhe se para disa vitesh ka jetuar në Gjermani.
Më trj gruaja pretendon se familja e saj është në gjendje të vështirë ekonomike dhe se i biri nuk ka gisht për çfarë akuzohet.
Grabitësja e karburanteve, tregon pse vjedhjen e parë e bëri pas ditëlindjes
Dalin detaje të reja lidhur me 31-vjeçaren Anna Malaj, nga fshati Visokë e Mallakastrës, e cila dyshohet për vjedhjen e një pike karburanti në Levan dhe dy tentativa të tjera grabitjeje.
Ajo bashkëpunonte me kushëririn e saj, 22-vjeçarin Emiljano Grembi nga fshati Belinë, e Patosit.
Dy të rinjtë i kryenin grabitjet duke përdorur një armë gjahu dhe një automjet, të cilit i vendosnin targa të vjedhura.
Por dy kushërinjtë u zbuluan nga kamerat e sigurisë së karburanteve.
Nga hetimet e kryera dhe analizimi i të dhënave, u krijuan dyshimet se autorja mund të ishte Anna Malaj, i cili më parë ka pasur emrin Jonida, por që e ka ndryshuar.
Teksa policët i shkuan në banesë dhe e pyetën të renë nëse kishte armë, ajo ka pohuar, duke e dorëzuar. Gjithashtu në oborrin e shtëpisë është gjetur e parkuar edhe makina ngjashme me atë të përdorur gjatë grabitjes.
Hetuesit konstatuan se arma dhe makina, ishin të njëjtat e përdorura në grabitjet në karburante.
Po ashtu një tjetër detaj që u zbulua është fakti se kamerat kishin fiksuar një medaljon, ku rezultoi i njëjti me atë që 31-vjeçarja kishte në qafë.
Kanë mjaftuar këto fakte për të kryer edhe shoqërimin e 31-vjeçares të cilës i janë marrë deklarimet përkatëse lidhur me tre ngjarjet.
E vendosur përballë provave, e reja është detyruar të pranojë autorësinë, duke treguar se grabitjen e parë e ka bërë, në gjendje të dehur, një ditë pas ditëlindjes së saj.
Malaj ka treguar se bashkë me Emiljanon në gjendje të dehur, kanë vjedhur karburantin në zonën e Levanit.
Por për këtë rast ka treguar se e ka bërë për hakmarrje, pasi disa ditë më parë kur është kthyer nga Vlora në Fier, kishte furnizuar makinën me karburant në këtë pikë.
Sipas pretendimeve të 31-vjeçares, teksa i ka dhënë punonjësit të karburantit 50 euro, ai nuk i ka kthyer kusur, duke bërë manovra me kursin e këmbimit.
Malaj ka thënë se që nga ai moment ishte mërzitur, duke menduar më tej që të merrte hak duke kryer grabitjen.
Rezulton se Anna Malaj, jetonte me të motrën në fshatin Visokë, ndërsa prindërit i kishte në Greqi. Ajo është nënë e një djali rreth 10 vjeç, i cili jeton me prindërit e saj në Greqi, fryt i një bashkëjetese të saj disa vite më parë, kur edhe ajo jetonte në shtetin fqinj.
Policia tha zyrtarisht se Anna Malaj, në bashkëpunim me kushëririn e saj Emiljano Grembi, nën kërcënimin e armës, në 2 korrik, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.
Gjithashtu më 7 korrik, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.
Më 15 korrik, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilën shkonin në vendngjarje, një armë gjahu teke dhe 6 fishekë, si dhe një palë doreza dhe katër targa mjeti të falsifikuara.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për të zbuluar ngjarje të tjera ku mund të jenë përfshirë, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





