Transmetuar më 11-07-2018, 11:10

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza doli këtë të martë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u mbajt seanca dëgjimore, pasi iu nënshtrua procesit të vettingut.

Por gjatë saj, u zbulua se Thanza, kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali.

Kjo ka bërë që ditën e sotme Prokuroria e Përgjithshme, të nisë hetimet në ngarkim të tij dhe më konkretisht seksioni i Dekriminalizimit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se Thanza ishte dënuar për vjedhje në Itali, ku kishte dhe një gjobë, por në formularin e dekriminalizimit e kishte fshehur.

Sakaq Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë më 17 korrik vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

Krahas problemeve të konstatuara me pasurinë, Thanza rezulton me precedentë penalë. Ai është dënuar për vjedhje në vitin 1999 nga shteti italian.

Në vendimin e gjykatës italiane, Thanza është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë.

Thanza deklaroi se kurrë në jetën e tij nuk do mund të bënte një veprim të tillë, por se pafajësinë e mori përsipër për të mbrojtur një fëmijë, djalin e vëllait të tij.

“U bë një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit se nuk do të jetë asnjë shënim, përveç një gjobe. Madje unë e falënderova gjyqtarin për gjobën. Kur isha subjekt i dekriminalizimit mora certifikate dhe isha i pastër. Me sinqeritet, s’mund ta imagjinoni dot dhimbjen që ndieja për të. Nipi është pa baba, ka patur një sëmundje të rëndë dhe u dërgua në Itali për kurim dhe krimin e kreu kunata. E mora përsipër fajin për të shpëtuar nipin, jo kunatën. Druaja se djali i vëllait do mbetej pa përkrahje, nëse dënohej e ëma dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë”, deklaroi gjyqtari.

Më tej sqaroi se mjekësia italiane e shëroi djalin e vëllait dhe se sot ai është 28 vjeç madje ka edhe një fëmijë.

Ndërkohë, në raportin e ILDKPKI thuhej se Thanza ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, ka fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme. /a.y/noa.al

Iu zbulua dënimi në Itali, vendimi për gjyqtarin Thanza më 17 korrik: Doja të shpëtoja nipin

ONM fundos gjyqtarin: I dënuar për grabitje në Itali! Thanza: Po, por ishte vendim i padrejtë

KPK për gjyqtarin Thanza: Fshehu pasurinë, ka kontakte me njerëz të inkriminuar

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd