Transmetuar më 10-07-2018, 11:58

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë më 17 korrik vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili po i nënshtrohet procesit të vetingut, për të verifikuar pastërtinë e figurës.

Vendimi ndaj tij do të merret nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili ka në përbërje drejtuesin Olsi Komici dhe anëtarët Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj.

Gjatë seancës gjyqësore të ditës së sotme, ndaj Thanzës janë zbuluar një sërë problemesh me të kaluarën, çka rrezikon vijimin e karrierës së tij si dhe kandidaturën për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Krahas problemeve të konstatuara me pasurinë, Thanza rezulton me precedentë penalë. Ai është dënuar për grabitje në vitin 1999 nga shteti italian.

Në vendimin e gjykatës italiane, Thanza është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë.

Këto informacione u zbuluan në seancën dëgjimore nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Thanza e ka pranuar dënimin në shtetin italian, por ka deklaruar se ai është i pafajshëm.

“E kam pranuar veprën atëherë për shkaqe humanizmi dhe për shkaqe familjare, por nuk e kam kryer asnjëherë”, tha gjyqtari.

Thanza deklaroi se kurrë në jetën e tij nuk do mund të bënte një veprim të tillë, por se pafajësinë e mori përsipër për të mbrojtur një fëmijë, djalin e vëllait të tij.

“U bë një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit se nuk do të jetë asnjë shënim, përveç një gjobe. Madje unë e falënderova gjyqtarin për gjobën. Kur isha subjekt i dekriminalizimit mora certifikate dhe isha i pastër. Me sinqeritet, s’mund ta imagjinoni dot dhimbjen që ndieja për të. Nipi është pa baba, ka patur një sëmundje të rëndë dhe u dërgua në Itali për kurim dhe krimin e kreu kunata. E mora përsipër fajin për të shpëtuar nipin, jo kunatën. Druaja se djali i vëllait do mbetej pa përkrahje, nëse dënohej e ëma dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë”, deklaroi gjyqtari.

Më tej sqaroi se mjekësia italiane e shëroi djalin e vëllait dhe se sot ai është 28 vjeç madje ka edhe një fëmijë.

Ndërkohë, në raportin e ILDKPKI thuhej se Thanza ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë.

Edhe DSIK e vlerësoi të papërshtatshëm gjyqtarin për të vijuar detyrën pasi është vërtetuar se ka kontakte me personazhe të inkriminuar.

Nga ana e tij relatori Lulzim Hamitaj deklaroi se gjyqtari ka fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme.

Thanza rezulton të ketë një apartament 136 metër katrorë në Shkodër, me vlerë 1 milionë e 200 mijë lekë të reja, i blerë nga shitja e dy apartamenteve të tjera në Shkodër.

Gjithashtu ka në Tiranë një apartament banimi 113 metër katrorë në zonën e “Komunës së Parisit”, e blerë nga bashkëshortja notere, në vlerën e 4 milionë lekëve të reja.

Jo vetëm kaq por në zonën e Gjirit të Lalzit, ka një apartament dupleks të blerë në vitin 2012, me sipërfaqe 95 metra katrorë, ndërsa në formular është deklaruar 38 metra katorë. /a.y/noa.al

ONM fundos gjyqtarin: I dënuar për grabitje në Itali! Thanza: Po, por ishte vendim i padrejtë

KPK për gjyqtarin Thanza: Fshehu pasurinë, ka kontakte me njerëz të inkriminuar

Të martën para KPK, zbulohet pasuria e gjyqtarit Thanza, shumica e të ardhurave nga gruaja

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd