Transmetuar më 15-02-2018, 12:14

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ish-Kryeministrit Sali Berisha në seancën e sotme parlamentare, lidhur me ligjin e arsimit të lartë dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Përballë akuzave të Berishës se po shaktërron Universitetin Publik për të favorizuar privatët, pas marrjes së çantave me para, Rama tha se Qeveria nuk ka asnjë kompetencë të administrojë Universitetin e Tiranës, por se e administron Bordi.

Rama deklaroi se sipas ligjit të ri, bordi është i ndarë nga drejtimi akademik, fillon nga rektori e zbret poshtë.

“E vërteta është se ne morëm një shqetësim publik nga një grup pedagogësh dhe shprehëm gatishmërinë të takoheshim me senatin e Universitetit të Tiranës, sepse nuk kemi të drejtën që të zgjedhim një palë kundër një pale tjetër, dhe të hyjmë në një diskutim të brendshëm që është ilegjitim. Nuk u mblodhëm, as s’e dinim që situata ka degraduar në ndërrimin e bravave mes Rektorit e kreut të Bordit. Na e thanë përfaqësuesit e senatit. Dhori Kule, përfaqësues i PD, të cilët u shprehën se na vjen turp të dalim në rrugë të këtë gjendje që është katandisur”, u shpreh Rama.

Ai e cilësoi opozitën si qesharake që ngre kauza pa kauzë dhe flet për gjëra pa lidhje.

Sipas tij, opozita e ka ndarë mendjen se nuk mban përgjegjësi për ato që thotë dhe e kthen seancën e parlamentit në një teatër amatorësh që presin të enjten për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së barit.

“E vërteta është se ne po mbajmë barrën e pastrimit të gjithë kodrave të plehut që ngritët ju në çdo sektor, nga arsimi, ekonomia, financa, energjia etj. Në çdo sektor kodra plehrash në mes të rrugës. Ne kemi barrën ti pastrojmë se për këtë e kemi marrë detyrën. Po të flisni ju për arsimin, që e mbytët vendin me universitete që shkatërruat një gjeneratë të tërë të rinjsh që kanë marrë diploma dhe që nuk kanë mundësi të punojnë në një zanat, ky është kulmi. Ashtu sikur është kulmi të flisni për teatër, sport apo ç’të doni, pasi nuk vutë asnjë gozhdë në mure, as për teatrin, kulturën apo sportin”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se edhe Teatri i ri do të ndërtohet, do apo s’do opozita, nuk e pengon dot punën e qeverisë.

“Thjeshtë na përzieni dhe ne në këto shfaqje qesharake, kur tjetër pretendojnë ata që ju kanë votuar ju, e tjetër bëni ju. Ik tani Sali në shfaqjen tënde, shko futu në atë kazanin dixhital, ku je vetë, regjisor, vetë aktor dhe vetë spektator. Lërja profesorit (Edmond Spaho) të drejtojë grupin dhe shko kërko Lulin”, u shpreh Rama. 

Nga ana e tij Berisha tha më herët se arsyeja pse Edi Rama po shkatërron godinën e Teatrit Kombëtar është qëllimi për të ndërtuar atje një kullë 45 katëshe, prej së cilës Rama do të përfitojë 4 deri në 5 kate.

“Ti nuk mund t’i gënjesh artistët, se ke parashikuar kullën 45 katëshe dhe ke parashikuar të marrësh 4 kate për vete. Po ti, me se i financon ato shkarravinat e tua në ekspozita?! Në shkarravinat e tua gjetën drogë! Mediat italiane i quajtën ato "shkarravina të një adoleshenti të droguar”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, diagnoza psikike përmes shkrimeve dhe vizatimeve janë më kryesoret që përdoren për të diagnostikuar një të sëmurë.

“Vepra jote është bingoja kur ishe ministër i pseudo kulturës, ku sallat e teatrit i zure me bileta bingosh e bixhozi. Ti ke mbushur xhepat me kulturën”, tha ndër të tjera Sali Berisha. /a.y/noa.al

Berisha: Rama po shkatërron Universitetin e Tiranës, privatët i sjellin në zyrë çanta me para

Pedagogët”, Spaho: Kur të presësh koka, prit reagimin e tyre. Rama: Se kërkojmë ne

Rama: Teatri do shembet doni apo s’doni! Problemi nuk janë muret, por mungesa e roleve 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd