Transmetuar më 15-02-2018, 11:17

Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, u ndal ditën e sotme në debatin e krijuar prej kohësh lidhur me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së një godine të re.

Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve demokratë, ai tha se nuk e kupton se pse po fyhet sipas tyre elita e kombit, artistët dhe aktorët, duke nënvizuar se opozita po kapet si i mbyturi pas fijes së barit.

“Ne nuk jemi të përsosur apo të pagabueshëm, por jemi të pakonkurrueshëm! Nuk na konkurroni dot. Pastaj thoni jepni kaq për GDP, ndërkohë që aktorët vuajnë. Për çfarë vuajnë aktorët? Mos duhet tu shpërndajë qeveria rolet, të ringremë Kinostudion “Shqipëria e re”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se nuk ka ndonjë vend normal që aktorët të ngrihen për mure apo sa herë flitet për karton, apo kartoxhes.

Sipas tij, beteja është pa përmbajtje, siç është gjithë beteja e opozitës.

Ai nënvizoi se diçka është e qartë, ligji i ri për arsimin e lartë është i duhuri dhe i stërduhuri dhe sipas tij PD, nuk është e djathta dhe nuk ka lidhje me të.

“Prej kohësh jeni si ai djathi kaçkavall plotë vrima që nuk hahet, merrni pozicione që nuk kanë lidhje as me të djathtët, as me programin e së djathtës. Jeni gati të kapeni pas çdo gjëje, sepse praktikisht jeni në ajër. Ne do e ndërtojmë Teatrin Kombëtar më në fund, se është një mbledhje që ka nisur para 20 vitesh. Kanë vdekur të gjithë ata që nisën mbledhjen përveç Robert Ndrenikës, se askush nuk e pati mendjen të ngrinte teatro dhe muzeume”, u shpreh Edi Rama.

Ai nënvizoi se nuk është bërë aq sa ka nevojë ky vend, sepse nuk mund të ndërtohen teatro e muzetë që i duhen këtij vendi, në kaq pak kohë.

Por sipas tij, janë ndërtuar për herë të parë që nga viti 1991, teatro, muzeume, stadiume.

“Atë godinën aty do ta shembim, teatrin e ri do e bëjmë doni apo s’doni ju. Aty do të bëjmë godinën europiane për të dhënë shfaqje, teatër dhe për parë teatër. Këtë teatër mund ta vazhdoni sa të doni, gjëmë nuk ka, gjëma nuk do të ndodhi”, deklaroi Rama.

Ai tha ndër të tjera se qoftë ligji i arsimit, qoftë teatri i ri,  nuk do të ndalet nga opozita.

“Ju në teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do filloni nga e para të mësoni se çfarë është teatër, se keni që nga viti 1991 që nuk keni shkuar në teatër. Jeni fiks si ata aktorët që zihen për mure, por që fatkeqësia e tyre është se nuk ka role”, tha në mbyllje, kreu i qeverisë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd