Transmetuar më 05-02-2018, 08:25

Dalin detaje të reja nga dëshmitë e të arrestuarve, lidhur me ekzekutimin mafioz të një jave më parë, ku në një rrugicë pranë Pediatrisë në Tiranë, u vra me armë zjarri Devi (Dëfrim) Kasmi, 42 vjeç.

Si organizator i atentatit është shpallur në kërkim Aurel Hoxhallari.

I arrestuari Malvin Dinellari ka deklaruar në polici, se Hoxhallarin e ka njohur nga një mik i përbashkët, për shkak se ai jetonte në Korçë.

Po ashtu ai ka treguar se vinte në Tiranë për të takuar të fejuarën, e cila studion në kryeqytet. Ndër të tjera ka thënë para uniformave blu se me Hoxhallarin është takuar në zonën e Yzberishtit, pa pasur dijeni për aktivitetin e tij kriminal.

“Me grekun jemi ulur në kafe, por e njihja si mik të Aurelit”, ka thënë ai.

Dinellari ka treguar ndër të tjera se punonte me shitje makinash dhe se Aureli i ka kërkuar që ti gjente një furgon mallrash.

“Kërkova në internet dhe e gjeta. E çova në servis për ta kontrolluar dhe Aureli ra dakord për ta blerë. Më dha 4200 euro dhe furgonin e regjistrova ne emrin e Elton Halipajt”, është shprehur Dinellari.

Sakaq Halipaj kishte njohje me Hoxhallarin dhe i kishte kërkuar ta ndihmonte që të gjente punë pasi ishte ngushtë ekonomikisht, për shkak se e ëma ishte prekur nga kanceri.

Halipaj u punësua si kopshtar nga Aureli, te vila e tij në Mëzez në periferi të Tiranës dhe në emrin e tij regjistroi dhe furgonin si dhe i bëri kurs patente në mënyrë që të dinte ti jepte.

Nga ana e tij ky i fundit nuk pranon të ketë gisht në krim, apo në grupin kriminal, duke thënë se thjesht punonte për Aurelin.

Shtetasi grek, Efthymiou Efthymious, i dyshuar si vrasës me pagesë, rreth orës 18:30 të mbrëmjes së 29 janarit, është shfaqur në rrugicën “Petro Cani”, pranë Pediatrisë.

Pas krimit, Efthymious u largua në një rrugicë të ngushtim, duke dalë në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku e priste një furgon i bardhë me targa AA 231 JH.

Por ka qenë një kamerë sigurie e ambienteve përreth, ajo që e ka fiksuar me fytyrë 41-vjeçarin grek, teksa hipte në furgon për t’u larguar.

Sakaq furgoni, dyshohet se drejtohej nga Elton Halipaj, i cili u arrestua këtë të enjte, së bashku me shtetasin grek.

Gjatë marrjes në pyetje, shoferi i furgonit ka pranuar se e ka marrë si pasagjer Efthymious, por ka thënë se nuk kishte dijeni për krimin e kryer prej tij.

Sakaq mjeti me të cilin largua i dyshuari si vrasës me pagesë, është zbuluar se është blerë nga grupi i drejtuar nga i shumëkërkuari Aurel Hoxhallari, më 17 janar, nga një person në Fushë Krujë.

Po ashtu, në vijim të marrjes në pyetje, Halipaj ka deklaruar se ka firmosur te noteri aktin për blerjen e furgonit me shumë prej 4200 euro, por pretendon se paratë janë paguar nga i arrestuari tjetër Malvin Dinellari.

Prokuroria ka dyshime të forta se Devi Kasmi u ekzekutua për shkak të përplasjeve me grupet rivale të trafikut të drogës.

Aurel Hoxhallari është personi i shpallur në kërkim, i cili dyshohet si personi që ka organizuar atentatin, duke paguar 25 mijë euro Efthymiou Efthymious për të kryer krimin.

Rolet e grupit/ Gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet, u arrestuan në flagrancë Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

I shpalluri në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit. /a.y/noa.al

Ekzekutimi i Kasmit, rindërtohet skena e krimit/ Vrasësi grek u largua me furgon pas atentatit

Banesa e grupit të krimit e “blinduar” me kamera, greku i dyshuar si vrasës me pagesë: Erdha për pushime

Organizoi vrasjen e Kasmit, kush është kreu i grupit, i dyshuar dhe për atentatin ndaj mikut të Shullazit

Kush e organizoi vrasjen e Kasmit, dy vite më parë porositi atentatin e shokut të Shullazit

Kasmi u ekzekutua nga vrasës me pagesë, kush është organizatori dhe “këmbëza”. Roli i grekut

Vrasësi grek me pagesë ekzekutoi Kasmin, dalin pamjet e operacionit për kapjen e grupit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd