Transmetuar më 01-02-2018, 14:39

Zbardhet dëshmia e dhënë në polici, nga i arrestuari i vetëm, lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së hënës pranë zonës së Pediatrisë në Tiranë, ku u ekzekutua me armë zjarri Dëfrim (Devi) Kasmi.

I arrestuari është 25-vjeçari Mario Meshini, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasje dhe më konkretisht si personi që nxori në pritë viktimën.

Por i riu ka thënë para uniformave blu se 42-vjeçarin e njihte prej disa muajsh, për shkak se të dy kishin pasion palestrën.

Ai ka thënë se ka parë gjithçka, por se ekzekutimi ka ndodhur pak metra para se ai të afrohej te Kasmi.

“Vrasësi ishte rreth 180 cm i gjatë dhe me shumë mjekër. Ka pasur në kokë një kapuç të zi, të palosur te balli. Drejtuesin e motorit me të cilin u larguan autorët nuk e pashë”, ka thënë ai para uniformave blu.

Ai ka treguar se vrasja ka ndodhur sapo Devi Kasmi kishte zbritur nga makina, ku ekzekutori e qëlloi pas shpine, pa shkëmbyer asnjë fjalë.

Nga ana e tij 25-vjeçari thotë se nuk kishte arritur as që ta takonte Kasmin, duke treguar se kishte ngritur duart lartë dhe kishte thënë se nuk kishte lidhje me të.

Po ashtu ka treguar se autori u largua me vrap drejt motorit, gjë të cilën e ka bërë edhe ai pas pak çastesh, në gjendje paniku.

I arrestuari dyshohet se ka bashkëpunuar me Domart Konjarin i cili është shpallur në kërkim i dyshuar si autor i krimit, duke nxjerrë në pritë Kasmin, ku dy persona me motor dhe me skafandër në kokë, e ekzekutuan në një rrugicë të ngushtë.

Po ashtu është sekuestruar edhe motori i Mario Meshinit. Viktima njihej edhe si Dëfrim “qorri”, apo “fantazma”, pseudonime të cilat i kishte fituar në sajë të së kaluarës së tij kriminale.

Në shtëpinë e Devi Kasmit, u gjetën 3 kilogramë lëndë narkotike kokainë dhe një armë automatike me silenciator. Kujtojmë se viktimës iu gjetën, edhe një pistoletë në çantën që mbante me vete dhe një tjetër pranë trupit të pajetë. /a.y/noa.al

Atentati në Tiranë, viktima ndiqej prej një jave, lëvizte i armatosur

Ky është i arrestuari për vrasjen e Kasmit. Avokati: Ishin shokë, pa krimin dhe iku

Ekzekutimi i Kasmit, policia del me deklaratë: U arrestua bashkëpunëtori i vrasësit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd