Transmetuar më 01-02-2018, 11:15

Një seancë e vërtetë ping-pongu, ajo e ditës së sotme në Parlament, pas momenteve të tensionit si pasojë e përjashtimit të deputetit demokrat Edmond Spaho.

Në rinisjen e tretë të saj, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kërkoi sërish që deputeti Spaho të largohet nga seanca.

“Në rast se deputeti nuk pranon të dalë nga salla, drejtuesi i seancës ndërpret seancën dhe i jep porositë e nevojshme shërbimit të sigurimit të Kuvendit, për të liruar sallën. Ju lutem uluni. Ndërpritet seanca, shërbimi të bëjë detyrën për zotin Spaho të lirojë sallën”, u shpreh Ruçi.

Kujtojmë se kryeparlamentari Gramoz Ruçi, përjashtoi nga seanca e sotme parlamentare, kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Pas ndërprerjes prej pesë minuta të seancës parlamentare, në rinisje të saj deputeti Spaho dhe kolegët demokratë kanë vijuar të bllokojnë foltoren.

Kjo bëri që kreu i Kuvendit të lexojë disa herë rregulloren, duke thënë se në rast se pas paralajmërimit deputeti vijon të bllokojë për më shumë se 2 minuta foltoren, ai përjashtohet.

Kështu ai i komunikoi zyrtarisht përjashtimin nga seanca e sotme parlamentare dhe heqjen e një dite page.

Seanca parlamentare e ditës së sotme u shënua me tensione, pasi deputetët demokratë bllokuan foltoren.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, e lëshoi gojën ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, me një epitet jo shumë etik.

“Mos bëj si halabak, bëj liderin të thashë. Mos prek punonjësit e shërbimit, zoti Basha të paralajmëroj. Ndërpritet seanca”, u shpreh Ruçi.

Gjithçka pasi në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar Edmond Spaho, po fliste për ekstradimin e “financierit” të grupit të Habilajve, Nazer Seiti.

Ruçi i kërkoi që të rikthehet në rendin e ditës, ndryshe do i ndërpriste fjalën. Kjo ka bërë që Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të opozitës të bllokojnë foltoren. /a.y/noa.al

Kryeparlamentari Ruçi, përjashton nga seanca deputetin demokrat Edmond Spaho Tensione në Kuvend, Ruçi-Bashës: Mos bëj si halabak. Ndërpritet seanca

Kontroll në hyrje të Kuvendit, Paloka i ankohet Ruçit: Mos harroni, këpucët i kemi të gjithë 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd