Transmetuar më 01-02-2018, 10:51

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, përjashtoi nga seanca e sotme parlamentare, kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Pas ndërprerjes prej pesë minuta të seancës parlamentare, në rinisje të saj deputeti Spaho dhe kolegët demokratë kanë vijuar të bllokojnë foltoren.

Kjo bëri që kreu i Kuvendit të lexojë disa herë rregulloren, duke thënë se në rast se pas paralajmërimit deputeti vijon të bllokojë për më shumë se 2 minuta foltoren, ai përjashtohet.

Kështu ai i komunikoi zyrtarisht përjashtimin nga seanca e sotme parlamentare dhe heqjen e një dite page.

Seanca parlamentare e ditës së sotme u shënua me tensione, pasi deputetët demokratë bllokuan foltoren.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, e lëshoi gojën ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, me një epitet jo shumë etik.

“Mos bëj si halabak, bëj liderin të thashë. Mos prek punonjësit e shërbimit, zoti Basha të paralajmëroj. Ndërpritet seanca”, u shpreh Ruçi.

Gjithçka pasi në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar Edmond Spaho, po fliste për ekstradimin e “financierit” të grupit të Habilajve, Nazer Seiti.

Ruçi i kërkoi që të rikthehet në rendin e ditës, ndryshe do i ndërpriste fjalën. Kjo ka bërë që Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të opozitës të bllokojnë foltoren.

Më herët seanca nisi me anë të një ankese nga deputeti demokrat Edi Paloka.

Ai iu ankua kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, duke i thënë se në hyrje të Kuvendit u kontrolluan në detaje, sikur të ishim terroristë.

“Ne jemi deputet, nuk jemi terroristë, nëse ka terroristë dhe kriminelë mund të jenë ata lartë. Ndaj ai aty (Edi Rama) ta ketë të qartë sa do kontroll të bëjë ai, këpucët i kemi të gjithë”, u shpreh Paloka.

Ai shtoi gjithashtu se deputetët nuk mund të trajtohen si hajdutë dhe si leckë.

Nga ana e tij kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi se do të bënte verifikimet e rastit, pasi nuk kishte dijeni. /a.y/noa.al

Tensione në Kuvend, Ruçi-Bashës: Mos bëj si halabak. Ndërpritet seanca

Kontroll në hyrje të Kuvendit, Paloka i ankohet Ruçit: Mos harroni, këpucët i kemi të gjithë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd