


Seanca parlamentare e ditës së sotme u shënua me tensione, pasi deputetër demokratë bllokuan foltoren.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi, e lëshoi gojën ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha me një fjalë jo shumë etike.
“Mos bëj si halabak, bëj liderin thashë. Mos prek punonjësit e shërbimit! Zoti Basha të paralajmëroj. Ndërpritet seanca”, u shpreh Ruçi.
Gjithçka pasi në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho, po fliste për ekstradimin e “financierit” të grupit të Habilajve, Nazer Seiti.
Ruçi i kërkoi që të rikthehet në rendin e ditës, ndryshe do i ndërpriste fjalën dhe kështu bëri.
Kjo ka bërë që Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të opozitës të bllokojnë foltoren.
Seanca e sotme parlamentare nisi me anë të një ankese nga deputeti demokrat Edi Paloka.
Ai iu ankua kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, duke i thënë se në hyrje të Kuvendit u kontrolluan në detaje, sikur të ishim terroristë.
“Ne jemi deputet, nuk jemi terroristë, nëse ka terroristë dhe kriminelë mund të jenë ata lartë. Ndaj ai aty (Edi Rama) ta ketë të qartë sa do kontroll të bëjë ai, këpucët i kemi të gjithë”, u shpreh Paloka.
Ai shtoi gjithashtu se deputetët nuk mund të trajtohen si hajdutë dhe si leckë.
Nga ana e tij kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi se do të bënte verifikimet e rastit, pasi nuk kishte dijeni. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





