


Ministria e Drejtësisë reagon lidhur me ekstradimin e bërë këtë të enjte ndaj të ashtuquajturit si “financieri” i bandës së Habilajve, Nezar Seiti.
Ministria e Drejtësisë në reagim të lajmeve të publikuara, lidhur me ekstradimin e shtetasit Nezar Seiti, sqaron se janë ndjekur me përpikmëri të gjitha procedurat ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin nr. 10193 datë 3.12.2009, Konventës Evropiane të Ekstradimit, të vitit 1957, Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë dhe Konventës Evropiane për ndihmë juridike dhe çështje penale.
Ministria e Drejtësisë thotë se në datë 20.10.2017, është njoftuar nga Interpoli Tiranë, mbi arrestimin e shtetasit Nezar Seiti po në datën 20.10.2017, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në bazë të Urdhërit Arrestit Ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias, në datë 12.10.2017, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.
Ministria e Drejtësisë në datë 24.10.2017, i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme njoftimin e Interpolit Tiranë, me qëllim kryerjen e veprimeve nga ana e Prokurorisë për të kërkuar nga autoritetet italiane dërgimin e akteve.
Ministria e Drejtësisë shqiptare, menjëherë pas marrjes së kërkesës të datës 24.11.2017 nga Ministria e Drejtësisë italiane për ekstradim të shtetasit Nezar Seiti, ia ka përcjellë atë Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokuroria e Përgjithshme në datë 10.01.2018, ka vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Nr. 1506, datë 18.12.2017, i cili ka marrë formë të prerë më datë 29.12.2017, duke vendosur miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti.
Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit Nr. 1506 datë 18.12.2017 është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në përputhje me parashikimet ligjore të brendshme dhe ato ndërkombëtare.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Catanias, Seiti është personi që shpërndante fitimet që vinin nga aktiviteti kriminal, jo vetëm mes anëtarëve të grupit “Habilaj”, por edhe bashkëpunëtorëve që ndihmonin në realizimin e trafikut të narkotikëve.
Dyshohet se Seiti takohej personalisht me porositësit e drogës dhe merrej me detajet e pagesave. /a.y/noa.al
“Financieri” i Habilajve, policia del me deklaratë për ekstradimin drejt Italisë
Ekstradohet drejt Italisë “financieri” i bandës së Habilajve
Pranohet kërkesa e Prokurorisë, financieri i “Habilajve” do ekstradohet drejt Italisë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





