Transmetuar më 23-12-2017, 12:07

Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e prokurorisë së katanias për ekstradimin e Nazer Seitit në itali. Seiti konsiderohet si financier i grupit të Habilajve.

Edhe vetë Seiti ka kërkuar ekstradimin drejt Italisë. I pandehuri dhe avokatët e tij kanë kërkuar që hetimet të zhvillohen në Itali dhe jo nga pala shqiptare, ku edhe u arrestua.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se me Habilajt ka lidhje krushqie, pasi bashkëshortja e tij i ka kushërinj dhe se nuk ka lidhje me aktivitetin e tyre kriminal.

Mësohet se Gjykata e Katanias ka caktuar masën ‘arrest me burg’, si pjesë e bandës shqiptare të trafikut të drogës nga vendi yne drejt Italisë.

Nazer Seiti njëri nga njerëzit e konsideruar nga prokuroria e Katanias në Itali, si anëtar i bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj u arrestua në Babicë të Vlorës, aksion në të cilit u kapën 4 ton drogë.

Prokurori ka pretenduar në seancat e kaluara se Nazeri është përgjuar në makinë (përgjime ambientale) me dhjetëra herë, ndërsa një provë e fortë për ta lënë pas hekurave ishte një bisedë me Moisi Habilajn për të liruar nga burgu një mikun e tij me nofkën “Maloku” dhe përmendnin një shifër prej 200 mijë eurosh.

“Kam 200 mijë ku t’i fsheh”, dëgjohen ata në një moment, e më pas, siç tha prokurori në seancë, kanë dyshuar se mos përgjoheshin dhe kanë çmontuar të gjithë tapicerinë e makinës. Këto lekë sipas prokurorit, do përdoreshin për lirimin e mikut të tyre me nofkën “Maloku” të kapur më kuadër në operacionin policor “Odesa” në vitin 2012./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd