Transmetuar më 16-02-2020, 09:43

Policia del me deklaratë lidhur me autorin e dyshuar të grabitjes në argjendarinë në Elbasan, mesditën e djeshme.

Bëhet me dije se kapja e tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Trajektorja”, në sajë të bashkëpunimit mes policisë së Durrësit, Tiranës dhe Ebasanit, teksa rezulton autor i dyshuar i disa grabitjeve në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

27-vjeçari i arrestuar, rezulton me precedent penal, i dënuar më parë 7 vite në Itali, për vjedhje me armë.

Sakaq ditën e djeshme Astrit Thaçi, me një kapele në kokë hyri si klient tek argjendaria ‘Diamant’, pronë e Antoneta Balla. Ai kërkoi një unazë dhe teksa Balla i nxirrte unazat për ti provuar, nxori një pistoletë duke e kërcënuar.

Në këtë moment Balla ia rrëmbeu armën duke e futur nën banak. Teksa ndodhte kjo, Thaçi u çorodit dhe në panik rrëmbeu çfarë unazash kishte nxjerrë gruaja mbi banak dhe u zhduk me vrap.

Policia thotë se prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, një person, në kërcënimin e armës, kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, menjëherë pas ndodhjes së rastit të parë, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve proaktive të kryera nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, mbrëmjen e datës 15 shkurt, bëri të mundur lokalizmin e vendndodhjes së autorit të dyshuar të këtyre ngjarjeve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara organizoi punën dhe në kuadër të operacionit “Trajektorja”, në bashkëpunim dhe në koordimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale bëri të mundur kapjen, në një lokal në zonën e Kombinatit Tiranë, të Astrit Thaçut, 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durres, i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.

Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, konkretisht:

-Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë (Kredo.al), ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.

-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë.

-Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.

-Më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.

-Më datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

-Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

-Më datë 15 shkurt 2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.

-Në Elbasan, më datë 15 shkurt, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.

Ne momentin e kapjes, të riut iu gjetën dhe sekuestruan 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.

Ndaj tij hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorice të Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, për veprat penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”. /a.y/noa.al

Grabitja në Elbasan, si ia rrëmbeu armën autorit, pronarja e argjendarisë

Arrestohet Astrit Thaçi, grabitësi që u bë makthi i Durrësit dhe Elbasanit

"Skifteri" i Durrësit mbërriti në Elbasan, kush është grabitësi i argjendarisë dhe e shkuara kriminale

Maska me armë grabit argjendarinë pranë policisë së Elbasanit

Durrës, një person i maskuar grabit një pikë për dhënien e kredive