Transmetuar më 23-03-2018, 11:26

Dalin pamjet e përplasjes me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fier, ku pas një tentative grabitje, policia vrau një nga të dyshuarit dhe plagosi një tjetër.

Në videon që gjeni më poshtë, shihni momentin e shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe të dyshuarve.

Po ashtu pamjet e publikuara nga ‘Gsh’, tregojnë edhe viktimën e shtrirë në tokë, ndërkohë që vjen ambulanca për të marrë trupin e tij, i cili më vonë rezultoi i pajetë.

Ndërsa viktima nuk është identifikuar ende, deri më tani mësohet vetëm identiteti i të plagosurit, Arben Muça 37 vjeç, teksa dy persona të tjerë mundën të arratisen.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 të mëngjesit të kësaj të premteje, ku katër persona tentuan të vjedhin banesën e Minella dhe Elsa Muçës, në lagjen “29 Nëntori” Fier, duke thyer drynin e derës.

Në momentin e ngjarjes në banesë ndodhej vetëm çifti Muça, të cilët pasi pikasën hajdutët dhe lajmëruan policinë. E njoftuar nga telefonata, policia mbërriti në vendin e ngjarjes ku u përball me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.

Në kushtet e reagimit nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.

Për kapjen e të dyshuarve janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. /a.y/noa.al  

Policia e Fierit, ekzekuton një të dyshuar dhe plagos një të dytë. Gruaja tregon tmerrin

Tentativa e grabitjes me një të vrarë në Fier, kush është i plagosuri 

Një i vrarë dhe një i plagosur në Fier, kush është familja që u tentua të grabitet

Tentativa e grabitjes përfundon në përplasje me armë, vritet një nga të dyshuarit, plagoset tjetri