Transmetuar më 23-03-2018, 09:20

Identifikohet personi që mbeti i plagosur gjatë tentativës së grabitjes në një banesë në Fier, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Ai është Arben Muça 37 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Fierit, si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë, vijon të jetë ende i paidentifikuar, personi që mbeti i vrarë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku gjatë një tentative grabitje në një banesë në Fier, nga shkëmbimi i zjarrit me policinë mbeti i vrarë një nga të dyshuarit dhe u plagos një tjetër.

Bëhet me dije se rreth orës 03.00 të mëngjesit të kësaj të premteje, katër persona kanë tentuar të vjedhin banesën e Minella Muçës dhe Elsa Muçës, në lagjen “29 Nëntori” Fier, duke thyer drynin e derës.

Në momentin e ngjarjes në banesë ndodhej vetëm çifti Muça, të cilët pasi pikasën hajdutët lajmëruan policinë. E njoftuar nga një telefonatë, policia mbërriti në vendin e ngjarjes ku u përball me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.

Në kushtet e reagimit propocional, policia thotë se nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar. Nga radhët e policisë nuk ka të lënduar.

Për kapjen e të dyshuarve janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, për identifikimin e viktimës si dhe për kapjen e të dyshuarve të tjerë. /a.y/noa.al

Një i vrarë dhe një i plagosur në Fier, kush është familja që u tentua të grabitet

Tentativa e grabitjes përfundon në përplasje me armë, vritet një nga të dyshuarit, plagoset tjetri