Transmetuar më 23-03-2018, 07:24

Momente terrori janë shënuar gjatë natës së lënë pas, ende pa zbardhur e premtja në qytetin e Fierit.

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, policia e Fierit u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit Minella Muça, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke thyer drynin e derës.

Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.

Në kushtet e reagimit propocional, policia thotë se nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar. Nga radhët e policisë nuk ka të lënduar.

Për kapjen e të dyshuarve janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, për identifikimin e viktimës dhe të plagosurit si dhe për kapjen e të dyshuarve të tjerë. /a.y/noa.al