Transmetuar më 28-10-2026, 09:29

Kapet në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së Rexhep Ismailit, kryer më datë 7 maj 2026, në ambientet e lokalit të viktimës, në fshatin Gjashtë, Sarandë.

Gjithashtu po në Greqi u arrestua për llogari të policisë shqiptare një person i përfshirë në konfliktin me sende të forta që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit. I ndaluari përdorte identitet të rremë, për qëndrim në ishullin e Korfuzit.

Policia shqiptare njoftoi sot se u arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit në kërkim:

Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me dashje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Kanosja", kryer në bashkëpunim;

Idriz Çela, 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg", për veprat penale "Moskallëzimi i krimit", "Kanosja" dhe "Shkatërrimi i pronës".

Sarandë: Policia zbardh ngjarjen ku u vra biznesmeni Rexhep Ismaili, 6 persona të përfshirë

Nga hetimet dyshohet se më datë 7 maj 2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin Rexhep Ismaili, 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.

Policia thotë se po ashtu po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.

Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.

Dinamika e vrasjes në Sarandë/ Biznesmeni tentoi të mbronte klientin? Si nisi konflikti fatal

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit