

Sarandë – Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë kriminale në fshatin Gjashtë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili dhe u plagos një tjetër person.
Sipas njoftimit, në konflikt janë përfshirë gjithsej gjashtë persona: Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e lokalit në pronësi të viktimës, ku fillimisht është raportuar një konflikt mes disa personave të pranishëm. Më pas, situata është përshkallëzuar në përdorimin e sendeve të forta dhe armëve të zjarrit.
Sipas hetimeve paraprake të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, viktima dyshohet se ka përdorur një armë automatike gjatë përplasjes, ndërsa më pas është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga një prej personave të përfshirë në konflikt, duke humbur jetën në vendngjarje.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur në këmbë Kostandin Vogli, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në spital.
Autoritetet kanë bërë me dije se pas ngjarjes, të gjithë personat e përfshirë janë larguar nga vendngjarja, ndërsa disa prej tyre janë shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, përfshirë “vrasje me dashje”, “armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “shkatërrim prone”.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar prova materiale, përfshirë automjete, armë zjarri, fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, si dhe një motomjet të braktisur që dyshohet se është përdorur në largimin e autorëve.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët për çdo informacion që mund të ndihmojë hetimin.
Deklarata e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë Elidon Çela:
Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.
Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:
L.T., Lulzim Tabaku
I.C., Idriz Çela
E.M., Eljo Muço
K.V., Kostandin Vogli
M.A Marjo Agalliu
dhe E.Sh. Ermal Shkalla
kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima R. I ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,
Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R. I., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.
Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga
Policia, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit: L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”; I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.
Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.
Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





