Transmetuar më 23-09-2026, 16:43

Detaje të reja nga dosja hetimore zbulojnë komunikime ku përmenden lëvizje politike, drejtues të Policisë dhe takime me kryeministrin. Fragmentet e publikuara ngrenë pikëpyetje të reja mbi rrjetin e kontakteve të Hysenit dhe Agasit

Detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, zbulojnë komunikime të vazhdueshme me Ergys Agasin, ku përmenden emra të rëndësishëm të mazhorancës dhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Në pjesët e dosjes të publikuara këtë të mërkurë dalin mesazhe ku përmenden Belinda Balluku, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita dhe kryeministri Edi Rama. Më herët sot dolën në media mesazhet e përgjuara që i gjeni këtu dhe këtu.

Një nga komunikimet që tërheq vëmendjen lidhet me zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste. Hyseni i shkruante Agasit:

“Taulant Balla kryetar Kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”.

Sipas materialeve të raportuara nga dosja, me “Bela” dhe “Tao” nënkuptohen Belinda Balluku dhe Taulant Balla. Fragmenti i publikuar nuk shpjegon më tej domethënien e frazës “Bela me Taon shoku” dhe, vetëm nga ky komunikim, nuk mund të nxirret një përfundim mbi marrëdhëniet politike mes tyre.

Një tjetër komunikim është i datës 19 gusht 2026 dhe lidhet me kreun e Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

“Skënderi më thirri me u taku të hënën… Të shpresojmë që ka porosit KM…”, i shkruante Hyseni Agasit, sipas materialit të bërë publik. Në dosje, “Skënderi” identifikohet si drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ndërsa inicialet “KM” referohen si kryeministri.

Mesazhet tregojnë gjithashtu se Hyseni e informonte Agasin për takimet e saj me zyrtarë të lartë. Në një komunikim të datës 24 gusht 2026 ajo shkruante: “Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”. Në fragmentet e bëra publike nuk jepen hollësi mbi temën e takimit.

Sipas raportimeve që citojnë materialet hetimore, SPAK i ka interpretuar këto komunikime në kuadër të dyshimeve se Hyseni i përcillte informacione Agasit dhe përpiqej ta ndihmonte atë. Këto janë elemente të një hetimi në zhvillim dhe nuk përbëjnë në vetvete prova për përgjegjësi të personave të tjerë që vetëm përmenden në komunikime.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit